19:19, 10 Gusht 2018

“Propozimi për ndarjen e territorit të Kosovës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është shprehje e vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për Kosovën dhe nuk duhet interpretuar si dobësi”, tha të premten në Beograd, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç.

“Ata që thonë se nuk duhet të ketë ndryshim kufijsh duhet të kenë turp. Ata që na kanë bombarduar neve për të rrënuar kufijtë tanë janë hipokritë. Kjo vlen edhe për Maqedoninë, e cila e ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe tani thotë se nuk ka ndryshim kufijsh”, tha Daçiç.

Pas një takimi me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, Daçiç kujtoi edhe një herë se ai ka folur hapur për ndarjen si zgjidhje të vetme për Kosovën, e për Rusinë – sipas tij, – është e pranueshme çdo gjë që është e pranueshme edhe për Serbinë, shkruan Top Channel.

Në anën tjetër, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie tha se vendi i tij mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës dhe pavarësisë së saj.

“Shtetet e Bashkuara janë një nga miqtë dhe mbështetësit më të afërt të Kosovës. Edhe pse ju mund të lexoni diçka tjetër në media, kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Miqësia mes dy vendeve tona është e thellë dhe është shumëpërmasore, ndaj ne punojmë shumë çdo ditë për të avancuar qëllimet tona, siç janë demokracia, siguria dhe prosperiteti”, tha Delawie.

Deklaratat e tij vijnë pas komenteve, kryesisht të politikanëve në Beograd, se administrata e presidentit Trump nuk e mbështet Pavarësinë e Kosovës, siç e kanë mbështetur deri më tani administratat e mëparshme.

Edhe Komisioni Europian, përmes zëdhënësit Carlos Martin ka folur të premten për një zgjidhje të përhershme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por mbi të gjitha me pajtueshmërinë e Prishtinës dhe Beogradit.