18:00, 6 Dhjetor 2018

Zëvendësministri Ramadani, i shoqëruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë, Rrahman Rama,është pritur në Riga të Letonisë nga Shefi i Mbrojtjes i Letonisë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe në Qendrën Ekselence të NATO-s për Komunikim Strategjik.

Numri dy i MFSK-së, Burim Ramadani, dhe Gjenerallejtënant Rrahman Rama, janë pritur dje në takime zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Letonisë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Letonisë.

Në takim me Shefin e Mbrojtjes së Letonisë, Gjenerallejtënant Leonids Kalnins, është diskutuar për procesin e tranzicionit të FSK-së dhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Letonisë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Ndërsa, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, delegacioni i MFSK-së është pritur nga z. Albert Sarkanis, drejtor i Departamentit Europian.

Me zyrtarët e Minsitrisë së Punëve të Jashtme, është diskutuar mbi procesin e tranzicionit të FSK-së dhe planet e Kosovës për kontributin në sigurinë rajonale dhe globale.

Delegacioni i MFSK-së ka vizituar edhe Qendrën Ekselente të NATO-s për Komunikim Strategjik, në të cilën është diskutuar për angazhimet e NATO-s në përballjen me kërcënimet hibride dhe luftën informative të Rusisë, njofton Ministria e Forcës së Sigurisë, përcjellë Klan Kosova.