17:36, 17 Maj 2018

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev sot pas takimit të mbajtur me homologun e tij grek Alexis Tsipras në Sofje, tha se Maqedonia dhe Greqia kanë opsion që për të dyja palët mund të jetë i pranueshëm lidhur me zgjidhjen e kontestit me emrin.

Pas takimit me kryeministrin grek Tsipras në Sofje, ku mbahet Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, kryeministri Zaev në deklaratë për mediat tha se me homologun e tij grek zhvilluan takim përmbajtësor në të cilin e konfirmuan atë që paraprakisht e kanë dakorduar shefat e diplomacive të të dyja vendeve.

Siç sqaroi Zaev, një nga opsionet është zgjidhje e cila është e pranueshme për të dyja palët në negociatat.

“Pas gjithë asaj që deri tani është arritur, si kryeministra konstatuam dhe konfirmuam se qëndrojmë pas gjithë kësaj. Dhe mirë ka përfunduar. Ajo që kishte mbetur në mënyrë opsionale e hapëm, përmes disa opsioneve dhe konfirmuam një opsion që mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët”, theksoi Zaev.

Ai shtoi se doemos duhet të bisedojnë me presidentët e të dyja shteteve si dhe me liderët tjerë, me përfaqësuesit e opozitës, andaj mbetet të bëhen edhe detajet tjera.

Mes tjerash, Zaev tha se mes Maqedonisë dhe Greqisë është zhvilluar miqësi, e cila do të zhvillohet edhe në të ardhmen.

“Do të ishte mirë që zgjidhja e cila për të dyja palët do të ishte e pranueshme, të arrihet që tani, meqë në fund të qershorit kemi Këshillin Evropian ndërsa kjo do të ishte inkurajim shtesë për Këshillin Evropian”, tha Zaev.