20:11, 20 Mars 2017

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Fatmir Xhafaj ka reaguar këtë të hënë lidhur me akuzat e bëra ndaj tij ditët e fundit.

Përmes një deklarate për shtyp, Xhafaj ka mohuar që të ketë ushtruar funksione në strukturat e ish-regjimit komunist.

“Asnjë ditë të jetës time nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të sigurimit të shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit, që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme. Këto ditë kam dëgjuar në media gjëra absurde që nuk kanë të bëjnë fare me personin tim”, deklaron Xhafaj.

Ai i ka cilësuar si “të pavërteta” pretendimet e dy personave se i ka dhunuar në vitin 1986. “Një shtetas shqiptar me banim jashtë atdheut pretendon me mesazhe dhe telefonata të porositura se në vitin 1986 e paskam dhunuar, apo torturuar, vit në të cilin unë nuk kam qenë fare në punë në organet e drejtësisë së asaj kohe. Në janar të vitit 1986, unë kam filluar punë si drejtues i rinisë në Tiranë dhe ky fakt është i dokumentuar. Ndërkohë, janë të pavërteta pretendimet e një zonje për dhunë ndaj saj dhe vëllait të saj në një proces penal të kohës. Sa unë jam në dijeni, kjo çështje penale është gjykuar dhe përfunduar në fundin e vitit 1986”, thotë Xhafaj.

Xhafaj ka shtuar se akuzat në fjalë janë shpifje në dëm të figurës së tij dhe në këtë drejtim nuk ka kursyer as opozitën. “Këto akuza dhe shpifje i kanë kaluar pesëmbëdhjetë vjetët dhe e kanë marrë përgjigjjen më shumë se një herë. Ato riaktivizohen sa herë më besohet një detyrë me rëndësi, njësoj si herën e fundit të kryerjes së funksionit të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi. I kujtoj liderit të Partisë Demokratike dhe i mësoj kryetarit aktual të saj se, në tetor të 2010 kam bërë një deklaratë në Parlament lidhur me baltën e hedhur në mënyrë sistematike ndaj meje”, shton Xhafaj.

/ Top Channel

Interesante