9:14, 21 Prill 2017

Vrasja e ish-drejtuesit të lartë të Policisë, Artan Cuku, u konsiderua si e mirorganizuar, e tipit mafioz dhe e kryer nga vrasës profesionistë, provat në vendngjarje flasin për të kundërtën,

Disa gjurmë gishtash në vendngjarje, por edhe mbetje biologjike që mund të shërbejnë për ndërtimin e një profili gjenetik, tregojnë se vrasësi nuk ka qenë shumë i kujdesshëm, apo në një moment i ka dalë situata nga kontrolli, shkruan “Panorama”.

 Në vendngjarje janë fiksuar gjurmë të ndryshme gishtërinjsh, në mure e ashensor, mes të cilave hetuesit besojnë se mund të jenë dhe gjurmët e autorit. Në këtë përfundim është arritur pas verifikimit të pamjeve të ndryshme filmike, të fiksuara nga disa kamera sigurie, ku autori shfaqet para dhe pas krimit, transmeton Klan Kosova.

Nga pamjet është konstatuar se ai nuk ka pasur doreza në duar dhe gjatë përplasjes që mund të ketë pasur me Cukun, ka lënë gjurmët e tij në vendin e ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë se janë marrë të gjitha gjurmët e gishtave në vendngjarje, të cilat fillimisht do të krahasohen me ato të banorëve të pallatit, të Artan Cukut e bashkëshortes së tij.

Nëse nga krahasimi do të rezultojnë gjurmë të paidentifikuara, burimet thonë se ato mund t’i përkasin autorit të krimit. Në momentin që do të arrihet në këtë fazë, ato do të krahasohen me gjurmë personash me precedentë të mëparshëm, që ndodhen në sistemin e Policisë Kriminale.

Interesante