10:48, 8 Nëntor 2018

Nëpërmjet një kumtese nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE thuhet se “Qeveria kriminale në krye me të amnistuarin, Zoran Zaev nuk kanë mandat ta ndryshojnë Kushtetutën e Maqedonisë.

“Qytetarët më 30 shtator në mënyrë të qartë i thanë Qeverisë se nuk pajtohet me ndryshimin e Kushtetutës dhe emrin kushtetues të shtetit. Nuk pajtohet me fshirjen e ASNOM-it dhe ndryshimin e identitetit maqedonas, gjuhës dhe historisë. Mbi 1.2 milionë votues thanë se nuk pajtohen me kapitullimin që e nënshkroi Qeveria e Zaevit në Prespë”, kumtojnë nga OBRM-PDUKM, njofton Telegrafi Maqedoni. Sipas tyre, Zaevi dhe LSDM-ja askund në program nuk premtuan se do ta ndryshojnë emrin kushtetues të shtetit dhe se votuesit nuk i njoftuan se nëse votojnë për LSDM-në dikush tjetër nga vendet fqinje do t’ua shkruajë historinë apo se do të ndryshohet identiteti dhe gjuha.

“E vetmja arsye përse LSDM-ja shkoli demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve, pse i shet interesat shtetërore dhe kombëtare është shpëtimi i karrierës politike të Zoran Zaevit. Zoran Zaevi është i gatshëm me çdo çmim të vazhdojë me qeverisjen e tij kriminale, të vazhdojë me shpërndarjen e tenderëve dhe grandeve të funksionarëve shtetëror dhe partiak. Me çdo çmim pa dallim nëse është emri i shtetit, identiteti apo gjuha, Zaevi dëshiron të vazhdojnë të voziten kamionët e Vices, të rritet marihuana, të vazhdojë të pasurohet familja Zaev në kurriz të popullit”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Frikësimi, sipas VMRO-DPMNE-së, i Zaevit dhe kartelit kriminal është i madh dhe ata e dinë se nëse e humbin qeverisjen duhet të përgjigjen për të gjithë krimet.

“E dinë se askush nuk do t’i amnistojë përsëri klanin e tij dhe krimet e tij. Drejtësia do t’i prek edhe të gjithë ata që në vend se ta dënojnë e amnistojnë kriminalitetin e Qeverisë. Injorimi i vullnetit të qytetarëve do t’i kushtojë shumë LSDM-së dhe Zaevi, në zgjedhjet e ardhshme vullneti i qytetarëve do të shprehet edhe më fuqishëm, ndërsa Zaevi do të mbarojë në pensionim politik dhe do të përgjigjet për krimet e tij”, thuhet në fund të kumtesës së VMRO-DPMNE-së.