LVV: Gjyqtari Kalludra ridëshmon se është dorë e zgjatur e Kadri Veselit i cili kërcënon(te) vazhdimisht Lëvizjen VETËVENDOSJE! edhe nga foltorja e kryekuvendarit

17:03, 7 Dhjetor 2017

Lëvizja Vetëvendosje po e quan gjykim politik rastin e deputetëve të saj për hedhjen e gazit lotsjellës.

Madje sipas Vetëvendosjes, gjykatësi që e udhëheqë këtë rast, Beqir Kalludra, ka lidhje me Kadri Veselin, kryetarin e Kuvendit dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Gjyqtari Beqir Kalludra vazhdoi paraburgimin për Albin Kurtin dhe Donika Kadaj, përderisa nuk ishte në gjendje të urdhërojë sjelljen me detyrim në gjykatë të Kadri Veselit dhe Armend Zemajt në cilësinë e dëshmitarëve. Tashmë, njëanshmëria e këtij gjyqtari të specializuar kundër Vetëvendosjes është edhe më e dukshme. Ai nuk e fsheh anën që mban”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.

“Kalludra mundohet ta fsheh vetëm demaskimin e veprimeve të tij. Sot nuk i lejoi as mediat që ta transmetojnë drejtpërdrejtë këtë përndjekje politike”.

“Vazhdimi i paraburgimit për deputetët deri më 20 dhjetor është i papranueshëm, skandaloz dhe shpërfytyrim i drejtësisë. Vendimin për vazhdimin e paraburgimit, Kalludra e mori veç pak pasi e kërcënoi deputeten Albulena Haxhiu me shprehjet: ‘Ta marr fjalën dhe të dënoj’, duke përmendur me nervozitet edhe kallëzimin penal që e ka ngritur Vetëvendosje ndaj tij”.

“Në pyetjen e deputetes Albulena Haxhiu se a po e kërcënon, gjyqtari i pushtetit kërcënoi zëshëm : “Po, po të kërcënoj, ankohu po deshe!”.

“Kësisoj, edhe me gjuhën e tij kërcënuese, gjyqtari Kalludra ridëshmon se është dorë e zgjatur e Kadri Veselit i cili kërcënon(te) vazhdimisht Lëvizjen VETËVENDOSJE! edhe nga foltorja e kryekuvendarit”.

“Derisa drejtësia është në duart e një gjyqtari politik që e mban anën e klanit Pronto, aktivistët dhe deputetët tanë po e vuajnë burgun pa u shpallur fajtorë dhe me procese të montuara politike”.

klankosova.tv

Interesante