“Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta. Janë obligim i madh për buxhetin, por ato e ndryshojnë pozicionin e ekonomisë tonë në raport me fqinjët dhe të tjerët”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj

11:35, 14 Qershor 2018

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se megjithëse janë të shtrenjta, investimet në infrastrukturë janë të domosdoshme, meqë shtrojnë bazën për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në përurimin e segmentit të tretë të autostradës Arbën Xhaferi ai ka deklaruar se pret që shumë shpejt projekti të përfundohet dhe të lidhet me Maqedoninë, transmeton Klan Kosova.

“Gëzimi i sotëm për mua është i përgjysmuar, sepse e di që së shpejti kjo rrugë do të arrijë deri në Maqedoni. Kam besim të plotë që do të takohemi atje”.

“Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta. Janë obligim i madh për buxhetin, por ato e ndryshojnë pozicionin e ekonomisë tonë në raport me fqinjët dhe të tjerët”.

“Është me rëndësi që Kosova të jetë e përgjegjshme dhe të mos dështojë në asnjë obligim të vetin në këto projekte. Me këtë projekt i kemi dhënë imput zhvillimit ekonomik”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar se beson që Kosova do të jetë lidere e transformimit modern të vet dhe të Ballkanit, meqë sipas tij ka të gjitha kapacitetet që të jetë lokomotivë e zhvillimit ekonomik të krejt gadishullit.

Ambasadori i Amerikës, Greg Delawie nga ana tjetër ka nënvizuar se veç efektit të drejtpërdrejtë në lehtësimin e qarkullimit për qytetarët dhe biznese këto projekte të mëdha ndikojnë edhe në profesionalizimin e fuqisë punëtore.

“Është mbresëlënëse ta shohësh shtrirjen e kësaj rruge përtej maleve, teksa inxhinierët e Bechtel përdorin teknikat më moderne të inxhinierisë”.

“Kjo rrugë e ndihmon Kosovën në transport, duke e lidhur me fqinjët. Po ashtu edhe në punësim, pasi shumica e punëtorëve këtu janë kosovarë”.

“Në fakt shumica e punëtorëve që e kanë ndërtuar ambasadën tonë të re janë nga Kosova. Mësimet që kanë marrë nga Bechtel janë treguar të çmuara në këtë rast”.