11:27, 14 Shtator 2018

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se temat për ndarjen e Kosovës nuk janë të qëndrueshme.

“Dilemat e ngritura mbi rrezikun për ndarjen e Kosovës nuk janë të qëndrueshme. Nuk janë dilema tona, realisht. Janë gracka të kundërshtarëve të lirisë dhe pavarësisë sonë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit është deklaratë e shenjtë për popullin tonë”.

“Prandaj, si e tillë, është e paprekshme. Kosova ka integritetin e saj territorial, të njohur ndërkombëtarisht. Ka kushtetutën e saj dhe askush nuk ka mandat të marrë vendime që bijnë ndesh me parimet themelore të saj“.

Veseli këto komente i ka bërë derisa Kuvendi i Kosovës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë duke i hapur edhe dyert për vizitorë.

Ai me këtë rast ka thënë se Kuvendi ka krijuar traditë në shënimin e kësaj dite.

“Ne besojmë në këtë ide, prandaj kemi zgjedhur që të jemi pjesë e botës demokratike, sinonim i të cilës janë Shetet e Bashkuara të Amerikës, Aleanca Veri-atlantike dhe Bashkimi Evropian“.

“Është pikërisht ky dimension që nganjëherë duket se e harrojmë. E kemi gojën plot demokraci, e në anën tjetër bëjmë gjëra që nuk korrespondojnë më frymën praktike të demokracisë. Ndërsa e them këtë, fjalën e kam pikërisht tek skena jonë politike, e cila tash e një kohë të gjatë po ka vështirësi serioze në tejkalimin e polarizimit të dëmshëm partiak“.

Në kremtimin e Ditës së Demokracisë, Kryeparlamentari Veseli ka takuar nxënës të shkollave të ndryshme kosovare që vizituan Kuvendin e Kosovës.​