9:54, 17 Prill 2018

Punonjësit e Institutit Special në Shtime (ISSH) edhe sot kanë vazhduar grevën e tyre të nisur të hënën që e lëm pas.

Sipas tyre kjo grevë po ndodhë për shkak të mos realizimit të kërkesave të tyre legjitime nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, njofton Klan Kosova.

Këtë e ka bërë të ditur kryesuesi i Këshillit Organizativ të grevës, Xhevat Krasniqi i cili për klankosova.tv tha se punonjësit presin reflektim nga Ministria e Punës dhe Mirqenies Sociale.

Ai deklaroi po ashtu se greva nuk do të ndërpritet deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Krasniqi pranoi për klankosova.tv se deri më tani askush nga ana e ministrisë nuk ka pasur ndonjë reagim në lidhje me veprimet e punonjësve të këtij institucioni në Shtime.

Organizimin e grevës, sipas kërkesës së punonjësve, e ka bërë Sindikata e Shërbyesve Civilë në Institutin Special në Shtime, të cilët kërkojnë që të trajtohen në mënyrë specifike të drejtat e tyre në punë  edhe nga institucionet më të larta të vendit.

Kërkesat konkrete të punonjësve të ISSH-së janë si në vijim:

  1. Trajtimi i rrezikshmërisë në punë,
  2. Trajtimi i kohës së qëndrimit në punë në 24 orë,
  3. Nivelimi i pagesave të kujdestarisë,
  4. Llogaritja e 50 eurove shtesë në pagën bazë të punonjësve,
  5. Pagesat jubilare, që burojnë nga kontrata kolektive dhe nga Ligji i shërbimin civil të Kosovës.