USA Today: Specialja mund të sjellë drejtësi për familjet kosovare NULL NULL 26.02.2017 19:00 26.02.2017 19:00 Kur Beriane Mustafa po kthehej nga shkolla për në shtëpi 16 vite më parë, hasi në një turmë jashtë banesës së saj. Aty ajo ishte shokuar kur mësoi se i ishte vrarë babai – një gazetar i shquar dhe këshilltar politik, nis një shkrim i USA Today. Vdekja e Xhemajl Mustafës edhe sot e brenë atë. “Zgjohesh në mëngjes me pyetjen në kokë ‘Kush e bëri atë dhe pse’”, ka thënë 35 vjeçarja, transmeton Klan Kosova. “Kjo është ajo që në baza ditore të vret”, ka thënë ajo më tej. Sipas USA Today, Mustafa më në fund mund t’i shohë vrasësit e babait të sillen para drejtësisë. Një gjykatë është paralajmëruar të nisë punën në qytetin holandez, Hagë në muajt në vijim për të ndjekur penalisht krimet që dyshohet se janë kryer nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçi, në kohën para dhe pas luftës për pavarësi nga Serbia nga vitet e 90-ta, shkruan më tej. Bashkimi Evropian u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që kjo gjykatë të vendoset në Hagë për shkak të shqetësimeve se mund të frikësohen dëshmitarët. Gjykata e themeluar në vitin 2016 do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës dhe do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe do të ketë në përbërje gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtar. Më tej thuhet se zyrtarët e kësaj gjykate mund të lëshojnë një orar të procedurave brenda disa javëve. Gjykata do të fokusohet në mizoritë e kryera gjatë luftës brutale, përfshirë kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, që kërkoi ndërhyrjen ushtarake ajrore të SHBA prirë nga NATO, në mënyrë që të përzinin forcat serbe nga Kosova. Kjo ish-provincë e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe ende nuk është njohur nga Serbia dhe aleati i saj Rusia. Prokurorët ndërkombëtarë me sukses kanë sjell raste kundër liderëve serbë. Vitin e kaluar Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi gjeti Radovan Karagjiq, serbin e Bosnjës, fajtor për gjenocid në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ku shumica e viktimave kanë qenë myslimanë të Bosnjës. Ai tash është duke vuajtur burgimin si i dënuar me 40 vjet. Babai i Beriane Mustafës, Xhemajli ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ishte edhe këshilltar i presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka qenë një nga disa bashkëpunëtoret e Rugovës që është vrarë pas luftës. “Nuk mund të thuash se lufta kishte përfunduar më 1999 kur NATO hyri në Kosovë”, ka thënë Nora Ahmetaj, hulumtuese për të drejtat e njeriut në Qendrën e Hulumtimit, Dokumentimit dhe Publikimit në Prishtinë. “Nuk është e qartë se kush do të akuzohet. Një raport i Këshillit të Evropës dhe Agjencisë për të Drejtat e Njeriut në Bashkimin Evropian, ka gjetur se presidenti Thaçi dhe anëtarët tjerë të lartë të UÇK-së, kanë bërë trafikim organesh, kidnapime, torturim dhe vrasje të serbëve, romëve dhe shqiptarëve në Kosovë, që dyshohej se po bashkëpunonin me Serbinë”, shkruan më tej në artikullin e USA Today. Thaçi theksohet se ka mohuar akuzat e ngritura, por që zyra e tij ka mohuar të jap një qëndrim. Tomë Gashi – ish këshilltar i Thaçit, ka thënë se presidenti dhe politikanë të tjerë pret që ta kundërshtojnë ndjekjen apo dënimin. “Ata nuk e kanë vullnetin për të qëndruar në qeli gjashtë metra katrorë të një vendi të jashtëm tre mijë metra larg nga këtu, pa askënd”, ka thënë Gashi. “Ata e kanë jetën e mirë këtu dhe kanë pasur fuqi për 17 vjet, ata e trajtojnë Kosovën si monarki. Ata jetojnë si mbretër. Ata janë shumë, shumë të frikësuar”, ka thënë Gashi. Serbët e Kosovës, minoriteti më i madh aty, janë duke shpresuar që autorët përfundimisht të përfundojnë në gjykatë. “Është me rëndësi, jo vetëm si serb, por si të qenit njeri”, ka thënë Nenad Maksimoviq – drejtor ekzekutiv në Qendrën për Paqe dhe Tolerancë. Faton Klinaku – sekretar u Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë se Gjykata Speciale duhej të vendosej në Kosovë që të gjykojë krimet. Ai po ashtu nuk beson që Serbia është përgjigjur për krimet e bëra në Kosovë. “Pjesa më e keqe nga të gjitha është se askush nuk merret me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë”, ka thënë Klinaku. Kurse, Beriane Mustafa shpreson se gjykata e re për krimet e luftës do ta zgjidh vrasjen e babait të saj dhe autorët t’i sjell para drejtësisë, “Jo vetëm në çështjen e vrasjes së babait tim, por për të gjitha krimet që janë kryer këtu”, ka thënë ajo. Ky tekst është botuar në USA TODAY, ndërsa është përkthyer nga Klan Kosova. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 28/03/2024