18:43, 14 Qershor 2018

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, ka folur për marrëdhënien mes partisë ku bën pjesë tani dhe partisë ku ishte dikur, Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai duke komentuar përplasjet e fundit mes këtyre dy partive që dikur ishin ‘një’, ka thënë se PSD-ja nuk po merret me Lëvizjen Vetëvendosje por anasjelltas.

“Çdo ndarje është e vështirë, sidomos aty ku njerëzit janë dashtë për një kohë të gjatë jashtëzakonisht shumë. Nëse vërtetë shikoni deklarimet e PSD-së, mendoj se PSD nuk është marrë fare me Lëvizjen Vetëvendosje”.

“Është marrë shumë më shumë dhe është duke u marrë Lëvizja Vetëvendosja me PSD-në dhe si duket e ka bërë kauzë kryesore marrjen me PSD-në. Nuk po i intereson fare rritja por angazhimi që PSD të mos rritet”.

“Për ne, çështja  e Lëvizjes Vetëvendosje është çështje e përfunduar, ne nuk merremi me Lëvizjen Vetëvendosje. Nëse shihni rrjetet sociale, akuzat për tradhti e të tjera, është pjesa e Lëvizjes Vetëvendosje që po merret me PSD-në”.

“Është çështje e përfunduar, jemi ndarë dhe do të donim që kjo ndarje të ishte shumë më paqësore dhe kemi kërkuar që të ndahemi si miq, pasi në një moment të caktuar rrugët tona janë ndarë”.

Topalli në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se “qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje karshi Partisë Socialdemokrate nuk është miqësor”.

“Kemi mbështetur iniciativat e Lëvizjes Vetëvendosje por nuk ka kuptim që Vetëvendosja të sulmojë vazhdimisht PSD-në dhe ne t’i mbështesim iniciativat”.

“Ka gjëra që na afrojnë me Vetëvendosjen, do të doja të ndërtonim që lejon bashkëpunim në çështje të caktuara, kjo mjerisht nuk po ndodh”.

Ai ka treguar edhe se a ka komunikim mes këtyre dy partive, respektivisht deputetëve.

“Pjesërisht komunikohet, ka deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që mua nuk më flasin fare, ka të tjerë me të cilët diskutojmë normalisht”.

“Ajo që do të doja është që të kemi një raport normal, mes njerëzve, mes qytetarëve, mes deputetëve ku për çështje të caktuara pajtohemi e për çështje të tjera nuk pajtohemi. Mjerisht kjo frymë nuk ekziston”.

Për më shumë, ndiqeni videon e mëposhtme:

Interesante