Thaçi fton kompanitë franceze që të investojnë në Kosovë NULL NULL 16.03.2018 12:32 16.03.2018 12:32 Presidenti , Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë “MEDEF International” në Paris. Aika thënë se si shtet i ri, me popullatën më të re në Evropë, Kosova është e etur për dije, punë, zhvillim dhe prosperitet, duke paraqitur një potencial të madh për investime. Sipas kreut të shtetit, në Kosovë janë bërë reforma në të gjithë sektorët e jetës dhe konfirmimi më i mirë i këtyre të arriturave është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit me Bashkimin Evropian, por edhe marrja e statusit të vendit kandidat për fondet e MCC-së të Kongresit Amerikan. “Të dyja këto janë dëshmi e suksesit tonë në reforma të gjithanshme dhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Jemi vend me rritje konstante ekonomike, mesatarisht 4 për qind në vit, që prej kur jemi shtet. Kemi stabilitet të borxhit publik dhe sistem bankar të suksesshëm dhe të qëndrueshëm”, ka thënë presidenti Thaçi. Kreu i shtetit ka folur edhe për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe më gjerë, me kontinentin dhe me portet më të mëdha, duke shtuar tutje se është rritur vazhdimisht edhe prodhimi vendor dhe cilësia e prodhimeve. “Kemi vazhduar të hapim shkolla e universitete që të përgatisim fuqi punëtore, që të jetë konkurrente në Evropë. Sot shohim kompani evropiane e botërore që kanë ardhur në Kosovë dhe po i shfrytëzojnë këto kapacitete e këto potenciale të Kosovës”, ka pohuar ai. Presidenti ka thënë se mbi të gjitha, sot Kosova është një vend që ka mbyllur kapitullin e luftës dhe është një shtet i fokusuar në zhvillim, bashkëpunim dhe integrim. I pari i shtetit ka theksuar se Kosova nuk është më ajo e para 20 vjetëve, por është një vend që me sukses ka tejkaluar shkatërrimet e luftës dhe është kthyer kah paqja dhe zhvillimi. Ai njëherit ka ftuar kompanitë e Francës që t’i shikojnë mundësitë për të bashkëpunuar sa më shumë në fushën e ekonomisë, me interes të ndërsjellë të dy shteteve, por edhe të tërë kontinentit tonë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.