13:18, 7 Gusht 2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në një takim pune, drejtorët e Teatrove të qyteteve kryesore të Kosovës dhe përfaqësuesit e Sindikatës së Teatrove të Kosovës.

Ministri e përfaqësuesit biseduan edhe për hartimin e projektligjit për teatrot, me ç’rast Gashi njoftoi MKRS-ja është duke e përgatitur koncept dokumentin dhe besohet se teatrot e qyteteve të Kosovës do të bëhen me ligj të ri në pjesën e parë të vitit 2019.

“Ndër të tjera, ligji do të parasheh rritjen e buxhetit dhe avantazhet tjera. Po ashtu, kjo politikë e re do të obligojë komunat dhe kryetarët e tyre që të ndajnë buxhet shtesë për teatrot dhe rritjen e numrit të stafit dhe futjen e tyre në lista të rregullta të pagave”, shpjegoi ministri, duke u zotuar se MKRS-ja do të punojë sa më shpejtë që është e mundur në hartimin e ligjit dhe duke përfshirë të gjitha palët e interesit. “Me miratimin e këtij ligji dhe zbatimin e tij, teatrot anekënd Kosovës do të stabilizohen dhe kjo drejtpërsëdrejti do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve dhe vlerave artistike”.

Përfaqësuesit e teatrove dhe sindikatës premtuan se do të angazhohen maksimalisht në bashkëpunim me MKRS-në që ligji në fjalë të jetësohet sa më shpejt.