17:15, 5 Gusht 2018

Festivali “Sunny Hill” që do të mbahet në Prishtinë më 10,11 dhe 12 gusht, ka nxitur interesim të jashtëzakonshëm tek audiencat nga shtatë kontinente të botës.

Interesim të jashtëzakonshëm për pjesëmarrje në festival nuk ka pasur vetëm nga fansat e muzikës së Dua Lipës, Action Bronson, Gashit apo Martin Garrix, meqë sipas përfaqësuesve të Sunny Hill Festival, interesim të madh ka pasur edhe nga shumë artistë të huaj të cilët kanë kërkuar që atyre t’i bëhet një vend për të pertformuar në festivalin e madh të muzikës që do të ndodhë në Prishtinë.

“Ne kemi pranuar me dhjetëra kërkesa nga artistë amerikan të muzikës rap dhe hip hop, nga DJ të shumtë që vijnë nga Irlanda, Italia, Anglia dhe shumë e shumë vende të tjera të botës. Mirëpo, ne tashmë i kemi mbi 40 artistë që do të performojnë në festival, dhe nuk kemi pasur mundësi që të kemi aq shumë artistë, aq sa ka pasur kërkesë për të ardhur në Prishtinë”.

Përveç artistëve të huaj që kanë bërë plane të vijnë në Prishtinë, interesim të njëjtë kanë edhe mediat e ndryshme ndërkombëtare të cilët duan ta përcjellin festivalin nga afër dhe të raportojnë drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.

“Ne tashmë kemi nisë akreditimin e shumë mediave për Sunny Hill Festival. Kemi shumicën e mediave kosovare, dhjetëra media të rajonit, por edhe mediume të huaja të cilat do të jenë gjatë gjithë festivalit në Prishtinë. Është arritje e jashtëzakonshme për një festival i cili është vetëm në edicionin e parë të tij. Është interesim përtej secilës pritje që ne kemi pasur në fillim”.

Përveç Dua Lipës, Action Bronson, Martin Garrix, Stanaj dhe Gashit, në Sunny Hill Festival do të performojnë edhe Col3trane, Grace Carter, SG Lewis, Bondax, si dhe artistët më të mirë të skenës si Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Oda, Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Dren Abazi, Gipsy Groove, Offchestra, Gamblemania, Kachinari, MTNJ, Alban Muja, Oda Haliti, Secret 47, Rrrron, Ylli Megi, Gon & Sonik, Kidda, Art Haliti dhe shumë e shumë emra të tjerë.

Biletat për Sunny Hill Festival mund të blihen online, nga e gjithë bota në  www.sunnyhillfestival.com, në Shqipëri në gjitha pikat e Easy Pay, në rrjetin e shitjes Ria / Vllesa Co në gjithë Kosovën, si dhe në pikat fizike të shitjes të festivalit sikurse ajo në sheshin Zahir Pajaziti, në Albi Mall dhe shumë vende tjera publike.

Çmimet e biletave për tre ditë të festivalit fillojnë prej 40 euro, ose me mesataren ditore prej 13.3 eurove.