11:54, 12 Korrik 2018

Iniciativa Kosovare për Stabilitet ka prezantuar raportin e hulumtimit për standardin e jetesës së personave të moshuar në Kosovë, si dhe ka shfaqur dokumentarin “Mos u Plaksh”.

Të dhënat e këtij hulumtimi, i cili është realizuar me 600 të anketuar, tregojnë se 79% e personave të moshuar ndihmohen nga familjarët për ekzistencë.

47% e pensionistëve të anketuar kanë deklaruar se pensioni që do të përmbushte nevojat e tyre elementare është 200 deri në 300 euro në muaj, përderisa 63% prej tyre kanë thënë se deri në 50 euro i shpenzojnë për ilaçe.

Nje përqindje e madhe e personave të moshuar vlerësojnë se institucionet shtetërore nuk ia kanë dalë t’i përmbushin nevojat e tyre. 69% prej tyre kanë deklaruar se shteti ka dështuar në kujdesin për ta.

Zëvendësministri i Mirëqenies Sociale, Qerkin Dukolli tha se janë duke punuar në hartimin e koncept dokumentit për rregullimin e sistemit pensional, dhe se ky raport do të shërbejë për ndërmarrjen e hapave konkret në përmirësimin e gjendjes së moshuarve.

Përmes dokumentarit “Mos u Plaksh” janë paraqitur sfidat me të cilat ballafaqohen të moshuarit.