19:05, 11 Korrik 2018

Pas takimit të Këshillit veri-atlantik të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Maqedonia nuk do të mund t’i bashkohet NATO-s nëse nuk e ndryshon emrin, siç parashikohet në marrëveshjen e nënshkruar të këtij vendi me fqinjin e tij jugor, Greqinë.

Stoltenberg, në konferencën për media në Bruksel, tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO varet nga qytetarët e këtij vendi. Ai theksoi se qytetarët nëse mbështesin marrëveshjen e arritur me Greqinë rreth emrit, atëherë vendi do të jetë vendi i 30-të anëtar i NATO-s, në të kundërtën një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Ne qartë kemi deklaruar se pas përfundimit të procedurave të brendshme, përfshirë edhe ndryshimin e Kushtetutës dhe zbatimin e marrëveshjes, atëherë FYROM-i do të jetë vendi i 30-të anëtar i NATO-s me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, por nuk do të bëhet anëtare nëse nuk e ndryshon emrin e saj. Është një zgjedhje e thjesht dhe varet nga qytetarët e FYROM-it të vendosin për zgjidhjen”, deklaroi Stoltenbeg.

Gjatë këtyre dy ditëve të Samitit të NATO-s, takimi i sotëm i Këshillit veri-atlantik të NATO-s u zhvillua në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive të 29 shteteve anëtare të aleancës. Gjatë ditës së nesërme do të mbahet takimi i Këshillit veri-atlantik të NATO-s në, po ashtu në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive, me kombet partnere operacionale të përhershme dhe me ato potenciale.

Më 17 qershor në anën greke të liqenit të Prespës, shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrit dhe për partneritet strategjik, në prani të kryeministrave të të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras.

Sipas marrëveshjes vendi do ta ndryshojë emrin e saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut.