Stefano Boeri, arkitekti që krijon mrekullinë e “Pyjeve Vertikale” (VIDEO) NULL NULL 20.11.2018 18:51 20.11.2018 18:51 Arkitekti Stefano Boeri ka qenë gjithmonë i obsesionuar pas pemëve. Italiani – i cili është hartuesi i masterplanit “Tirana 2030”, planit të zhvillimit të Tiranës – e ka marrë këtë magjepsje nga novela që ka lexuar kur ishte fëmijë – “Baroni në Pemë”, në të cilën një djalë i vogël ngjitet në një botë me pemë dhe zotohet se nuk do të kthehet më. “Mendoj se pemët janë individuale”, tha Boeri në një intervistë telefonike. “Secila ka evoluimin e saj, biografinë dhe trajtën e vet”. Çuditërisht, ekziston një kuriozitet si prej fëmije për një ndër ndërtesat më të njohura të arkitektit, “Il Bosco Verticale”, apo “Pyllit Vertikal”. E ndërtuar në qytetin e tij të lindjes, Milano, kompleksi u vesh me gjelbërim, fasadat u transformuan në organizma të gjallë, frymëmarrës. Projekti me dy kulla rezidenciale – 80 metra dhe 112 metra secila – kanë rreth 20 mijë pemë, shkurre dhe bimësi të tjera. Dalin në mënyrë të çrregullt nga ballkonet dhe zvarriten nëpër struktura. Sipas vlerësimeve të Boerit, ekzistojnë dy pemë, tetë shkurre dhe 40 bimë të tjera për çdo banor. Përfitimet e supozuara të kësaj arkitekture të kopshtit e kalojnë estetikën. Gjelbërimi, mesa duket, krijon hije për apartamentet, përfitime psikologjike për banorët dhe një shtëpi për gjallesat, njofton Klan Kosova “Ka aty qindra zogj, më shumë se 15 lloje të ndryshme që kanë fole në kate të ndryshme”, tha Boeri. Por, kërkesa më e çmendur e arkitektit është se ndërtesa thith 30 tonë dioksid karboni dhe prodhon 19 ton oksigjen në vit, sipas hulumtimit të tij, me një vëllim pemësh që është e barabartë me rreth 215 mijë metra katror pyll. “Aftësia për t’i zmadhuar sipërfaqet e gjelbra brenda apo rreth qytetit tonë është një mënyrë efikase për t’u përpjekur për të reaguar ndaj ndryshimeve klimaterike”, thotë ai. “Pra, një pyll vertikal është një nga mënyrat për t’i zgjeruar sipërfaqet biologjike në mënyrë horizontale dhe vertikale”. Zgjidhja nuk është vetëm me kopshte, por edhe me në anë të ndërtesave. Kina zbulon planet për “Qytetin Pyjor” (“Forest City”) Karakteristika të tjera të efektshme të energjisë, duke përfshirë edhe sistemet e ngrohjes gjeotermale dhe ujërat e zeza, kanë tërhequr jo pak vëmendje. Sidoqoftë, ato ndihmojnë kullat jo vetëm t’u ngjajnë pemëve, por funksionojnë si ato, thotë arkitekti. “Ndërtesat punojnë si pemë, që nga rrënjët deri lart”, shpjegon Boeri. “Ato kanë një trung dhe shpërndajnë ujë dhe energji nëpërmjet degëve të ndryshme”. Në shtator, Vertical Forest u vendos mes katër finalistëve për RIBA International Prize, një bienale që nderon kullat e reja më të mira në botë. Pavarësisht përgëzimeve, Boeri thotë se suksesi i vërtetë i projektit është shërbesa si një prototip. Arkitekti ka plane shumë ambicioze. Firma e tij ka zbuluar planet për ndërtesa të reja pyjore vertikale në qytetet evropiane duke përfshirë Trevizon në Itali, Lozanën në Zvicër, apo Utrehtin në Holandë. Në qytetin kinez Liuzhou, në krahinën Guangxi, ai ka organizuar një “Qytet Pyjor” të planifikuar të përfundojë në 2020, që përfshin shtëpitë e mbuluara me pemë, spitalet, shkollat, blloqet e zyrave me një sipërfaqe 15 milionë metra katrorë. (Boeri tha se është ofruar për krijimin e qyteteve të ngjashme në Egjipt dhe Meksikë). Çdo vend ka nevojë për kërkime të hollësishme për të deshifruar cilat lloje bimësh apo pemësh rriten (niveli i lagështirës, erës dhe dritës së diellit janë më kryesore). Para hapjes së kullave në Milano, Boeri kaloi dy vite duke vëzhguar rritjen e pemëve të ndryshme dhe përdori ato që u provua se ishin më rezistente. Duke kryer studime të shumta (dhe duke provuar vlerën e pasurive të patundshme të projektit), ndërmarrjet e ardhshme do të bëhen gjithmonë e më atraktive për zhvilluesit – dhe më të lira për t’u ofruar. Në këtë front, Boeri thekson një projekt në vijim me qytetin e Eindhoven të Holandës. Kulla 19 katëshe do të shënojë herën e parë të konceptit të pyjeve vertikale dhe do të përdoret për strehim social. “Sfida është që ta realizojmë Pyllin Vertikal për njerëzit me të ardhura të ulëta, jo vetëm për të pasurit. Apartamentet do të jepen me qira për çiftet e reja dhe familjet me pak të ardhura. Dhe për mua ky është një hap shumë i rëndësishëm. Do t’i reduktojmë kostot e konstruksionit dhe do të përdorim parafabrikatën për fasadën pa e reduktuar numrin e pemëve apo bimëve. Dua të demonstroj që është e mundur të vendosësh bashkë dy çështjet kryesore për të ardhmen e qyteteve: ndryshimet klimaterike dhe varfërinë”. Një “Manifest i Gjelbër” Boeri është padyshim arkitekt me një mision. Një manifest i publikuar në website-in e firmës së tij angazhohet në lansimin e një “fushate botërore të pyllëzimit urban” që parashikon fermat e qyteteve, kopshtet në tarraca, fasadat e gjelbra dhe forma të tjera gjelbërimi. Së fundi, ai ndihmoi në nisjen e Forumit të Parë Botëror për Pyjet Urbane që është vendosur të mbahet në Mantua, Itali në fund të muajit. Por, Boeri nuk është as dogmatik e as protektiv për vizionin e tij. “Jam i lumtur të them se nuk kemi vendosur ndonjë autorësi, sepse ne e dimë mirë vlerën sociale të këtyre lloj ndërtesave”. Ai argumenton se dizenjatorët dhe arkitektët si Thomas Heatherwick dhe Ole Scheeren – projektet e ardhshme të të cilëve në Shangai apo Ho Chi Minh, respektivisht kanë planin e pyllëzimit urban – i kanë një borxh mirënjohjeje vizionit të Boerit. Por, italiani mbetet modest rreth rolit të tij në atë që po konsiderohet lëvizje arkitekturore. “Do të ketë arkitektë dhe planifikues urbanë që realizojnë ndërtesa me të njëjtën filozofi që do të jenë më mirë sesa këto që kemi bërë ne. Dhe kjo po ndodh që tani. Jam shumë i lumtur ta shoh”. “Si arkitektë, ne duhet të negociojmë me materiale natyrale. Por, të jetosh në natyrë është diçka e ndryshme. Ne normalisht mendojmë që të jetosh në natyrë është vetëm një pjesë ornamentale për ndërtesat tona. Ajo çka kemi bërë me pyjet vertikale është për ta demonstruar faktin se është e mundur që të transformohet jeta në natyrë në një komponent bazë të arkitekturës”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Gërvalla në Kalabri të Italisë: Të shfrytëzojmë resurset dhe të forcojmë urat e bashkëpunimit 40 sekonda më parë
Kosova Krasniqi takohet me Gorçeviqin e Malit të Zi, dakordohen për thellim të bashkëpunimeve 10 minuta më parë