16:30, 24 Korrik 2017

Tashmë që Turi i Francës është mbyllur zyrtarisht me suksesin e katërt të Chris Froome, është koha për të bërë një përmbledhje të shkurtër të këtij evenimenti që shkon përtej përmasave sportive.

Evenimenti çiklistik 104-vjeçar është unikal në përmasa dhe i pakopjueshëm në organizim dhe këto janë disa nga arsyet se përse Tour de France konsiderohet kulmi për çdo pjesëmarrës. Një turne i ngjashëm me Kupën e Botës në futboll, ndoshta edhe më shumë për këtë sport. 4500 ishin njerëzit e angazhuar në organizim ndërsa në garë morën pjesë 198 çiklistë dhe 300 njerëz stafi që i mbështetën në çdo kilometër. 15 ishin anëtarët e jurisë së garës ndërsa në total u përshkruan 3540 km në 21 etapa.

Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe Francë, këto janë vendet ku shkeli gjurma e këtij sezoni, ndërsa etapa më e gjatë ishte e 19-ta me 222.5 km. 5 ishin etapat gjysmëmalore dhe po kaq malore, ndërsa për herë të parë turi shkeli në 10 qyteza të ndryshme.

635 qytete të viziutara, 2100 zona të banuara, ndërsa çiklistët u ngjitën deri në 2642 metra lartësi në majën Col du Galibier. 7 aeroplanë të rezervuar për udhëtimet e gjata, më shumë se 500 hotele 10 mjekë, 7 infermiere po kaq ambulanca dhe 2 makina të ndihmës së shpejtë.

Për të arritur kushte ideale sigurie u angazhuan 50 anëtarë të xhandërmarisë, 3 mijë agjentë dhe 12 policë me kohë të plotë. Për këtë eveniment ishin akredituar 2 mijë gazetarë, 91 agjenci fotografike, 600 media, 301 gazeta dhe 94 televizione. Gara u transmetua drejtëpërdrejtë në 190 vende të ndryshme të botës me 105 orë në total. Një sipërmarrje vërtet e pakrahasueshme pasi Tour de France është Tour de France, shkruan Supersport.al, transmeton Klan Kosova.

Interesante