14:26, 12 Tetor 2018

Ndër vite, Ivan Savvidis ka qenë njeriu i Kremlinit në Greqi. Një miliarder greko-rus, ish-anëtar i Dumës Ruse dhe pronar i një klubi futbollistik grek, Savvidis ka lëvizur në mënyrë të vazhdueshme mes botëve sportive të të dyja shteteve. Ai ka gisht në secilin aspekt të jetës në Selanik, një qytet liman ku ai jeton, dhe është lojtar i mirënjohur në botën shpesh armiqësore të oligarkëve rusë dhe grekë, shkruan The New York Times, përcjell Klan Kosova.

Të gjitha këto kanë ngjallur interesim të fortë të agjencive amerikane të spiunazhit për të.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë që ata në qershor kanë zbuluar komunikime që tregojnë se Savvidis po punonte si kanal i Rusisë për ta dëmtuar një marrëveshje mes Greqisë dhe Maqedonisë që do t’i hapte rrugë kësaj të fundit t’i bashkohej NATO-s. Greqia për një kohë të gjatë ka kundërshtuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Moska, e cila e sheh aleancën e zgjeruar si kërcënim të madh në kufirin e saj, ishte e vendosur që ta mposhtte një referendum mbi këtë marrëveshje.

Si kundërpërgjigje, zyrtarët amerikanë ndërmorën një lëvizje agresive të pazakontë: Ata ua dhanë këto zbulime qeverisë greke me prirje majtiste të kryeministrit Alexis Tsipras. Qeveria greke u përgjigj me një ndarje të rrallë me Moskën, duke dëbuar dy diplomatë rusë nga Athina dhe duke ua ndaluar hyrjen dy tjerëve.

Kjo i gëzoi spiunët dhe diplomatët amerikanë. Ndonëse një votë referendumi muajin e kaluar në Maqedoni nuk çoi në rezultat – parlamenti maqedonas duhet tani të vendosë, ndoshta këtë javë, nëse ky shtet do t’i bashkohet aleancës Atlantike – zyrtarët amerikanë e shohin ekspozimin e Savvidis dhe dëbimin e diplomatëve si fitore të rrallë në përpjekjet arritëse kundër fushatave dezinformuese ruse në Evropë dhe SHBA.

“Po mundohemi dhe po e dëshmojmë që mund të luajmë pa kompromis po ashtu”, ka thënë Christopher R. Hill, një ish-ambasador i SHBA-ve në Maqedoni.

“Mund të zbulojmë sekrete, mund të bëjmë gjëra që nuk i kemi bërë në të kaluarën”.

Manovrimi i fshehtë ndodhi kur presidenti Donald Trump udhëtoi në Evropë gjatë verës dhe përqafoi publikisht presidentin rus Vladimir Putin, dhe denigroi aleancën – edhe një tjetër shembull i presidencës dhe establishmtentit të sigurisë kombëtare që duket se punojë me qëllime të kundërta. Por tregimi maqedonas fillon para kësaj.

Kundërpërgjigja ndaj ndërhyrjeve

Kur zyrtarët e sigurisë kombëtare amerikane i vunë re së pari herë në verën e 2016-ës shenjat që Rusia po tentonte të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale amerikane, Departamentet e Shtetit dhe të Mbrojtjes që punonin bashkë me agjencitë e inteligjencës, formuan atë që tani quhet Grupi i Ndikimit  i Rusisë që të provojnë t’iu kundërpërgjigjen tentimeve ruse, kryesisht në Evropë.  Kjo përfshin zgjedhjet në Evropë ku Rusia mund të provojë të intervenojë.

Së voni verën e kaluar, ata panë që Maqedonia mund të ishte cak. Më 12 qershor, zyrtarët maqedonas dhe grekë njoftuan se vendi do ta ndryshonte emrin e saj në Maqedoni Veriore dhe t’i jepte fund mosmarrëveshjes tri-dekadëshe me Greqinë e cila konsideronte se “Maqedonia” kishte aspirata territoriale mbi një rajon grek me të njëjtin emër.

Posa ky vend të bëhej Maqedoni Veriore, Greqia do ta hiqte veton ndaj këtij shteti për t’iu bashkuar NATO-s. Një votim formal për ta marrë emrin e ri ishte lënë për në shtator.

Moska nuk qe e kënaqur. Në një konferencë në Athinë tri ditë pas marrëveshjes, një top diplomat rus paralajmëroi ashpër Perëndimin mbi planet për ta ftuar Maqedoninë brenda Aleancës.

“Sigurisht, nuk do të lëshojmë bomba bërthamore”, tha Vladimir A. Chizhov, ambasadori rus në Bashkimin Evropian. “Por, ka gabime që kanë pasoja”, shtoi ai.

Kërcënimi i Chizhov-it nxiti një numër mesazhesh diplomatike gjer në Uashington, nga Geoffrey R. Pyatt, ambasador amerikan në Greqi i cili ishte në konferencën e njëjtë, për të paralajmëruar që Moska do të tentonte ta prishte referendumin në vijim.  Departamenti i Shtetit, C.I.A. dhe Komanda Evropiane e Pentagonit me bazë në Shtutgart të Gjermanisë, i ishin vënë tashmë këtij rasti, thanë zyrtarët.

Deri atëherë, opozita ndaj referendumit tashmë ishte shfaqur në Maeqdoni -përgjatë verës, kishte qindra ueb-faqe të reja që thërrisnin për bojkot të votës dhe postime në Facebook që kërkonin nga maqedonasit t’i digjnin fletëvotimet e tyre – dezinformata klasike, thanë zyrtarët maqedonas dhe amerikanë, të dirigjuara nga grupet me mbështetje ruse.

Ditën e marrëveshjes, po ashtu kishte protesta të dhunshme jashtë ndërtesës së parlamentit në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup.

Hyn Savvidis. Ai kishte qenë në radarin e agjencive inteligjente të Amerikës dhe Greqisë për vite si anëtar i partisë së Putinit, Rusia e Bashkuar, kur kishte qenë në Duma, shtëpi e ulët të parlamentit, dhe kishte vënë bast një pasuri, që fillimisht e kishte arritur përmes një kompanie ruse të duhanit, në një varg interesash përgjatë Greqisë veriore.

Si pronar i klubit futbollistik grek, PAOK FC në Selanik, ai mori famë kur hyri në fushë gjatë një loje kundër një ekipi athinas këtë vit, me një revole dhe i rrethuar me roje. Lojtarët e klubit athinas lanë fushën të shqetësuar për sigurinë e tyre teksa ndeshja u braktis.

Në qershor, zyrtarët amerikanë vlerësuan nga zbulimet e komunikimeve të tij – mesazhe elektronike, thirrje telefonike apo kombinime – që ai kishte qenë duke i paguar protestuesit.

Një zyrtar i lartë i SHBA-së tha që agjencitë amerikane e kishin të lehtë t’i mblidhnin të dhënat financiare që e vinin Savvidisin prapa pagesave ndaj qytetarëve dhe tifozëve të futbollit për të nxitur dhunë kundër referendumit maqedonas.

Sipas Projektit për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, një organizatë hetimore dhe raportuese, Savidis i kishte paguar kundërshtarët e kampanjës për riemërim të Maqedonisë së paku 300 mijë euro.

Pranues të parave kishin qenë edhe politikanët maqedonas, organizatat radikale nacionaliste të formuara rishtazi dhe huliganët e klubit futbollistik të Vardarit, të cilët organizuan protesta të dhunshme para ndërtesës së parlamentit në Shkup, raporton ky projekt.

Savvidis i kishte mohuar këto akuza  fuqimisht. “Totalisht të rreme dhe tejet shpifarake”, kishte thënë kompania e tij aksionere në një deklaratë verën e kaluar.

Përcjellja e Raportit

Bartja e raportit të inteligjencës amerikane te qeveria greke në fillim të korrikut i ra Pyatt-it, një diplomati të rexhur amerikan i cili kishte qenë ambasador amerikan në Athinë për dy vjet, thanë disa zyrtarë të SHBA-së. Pyatt ishte i përgatitur mirë për një rol të tillë, pasi që kishte shërbyer si ambasador amerikan në Ukrainë nga viti 2013 gjer më 2016, kur Rusia e kishte marrë Krimenë dhe i kishte ndihmuar forcat separatiste në Ukrainën lindore.

“Nuk ka një marifet që mund ta bëjnë rusët e që Pyatt-i nuk e di”, kishte thënë në një intervistë senatori Christopher S. Murphy, një demokrat i Connecticut si dhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme. Murphy kishte thënë se kishte folur me Pyatt-in për përzierjen e Rusisë në referendumin e Maqedonisë, por ai kishte refuzuar të komentonte mbi specifikat në bisedat e tyre private.

Ama, dhënia e informatave kryeministrit grek ishte një gjë. Por nuk ishin siguruar në asnjë mënyrë që ai do të bënte diçka lidhur me to.

Kryeministri Tsipras, i cili kishte refuzuar t’i bashkohej pjesës tjetër të Evropës që mbështeste Britaninë e cila e fajësonte Rusinë për një sulm me agjentë nervash në një ish-spiun, vinte nga një parti politike me një histori marrëdhëniesh të ngrohta me Moskën. Prapë se prapë, vendimi  për të lëvizur kundër Moskës ishte lehtësuar nga përpjekja e Tsipras për ta thyer një bllokadë 30 vjeçare me Maqedoninë e që Moska ta prishte atë.

Zyrtarët thanë që diplomacia e fundit amerikane kishte ndihmuar. Qeveria e Obamës i qëndroi përkrah Greqisë gjatë krizës disa vjeçare financiare, duke avokuar për Athinën që të mbetet në eurozonë kur disa shtete evropiane fillimisht hezitonin ta shpëtonin Greqinë.

Jacobn J. Lew, sekretar i Thesarit i presidentit Obama, shpenzoi aq shumë kohë në pakon e zbutjes së borxhit të Greqisë saqë zyrtarët e lartë ishin mahitur se ai qe bërë zyrtar i Thesarit për Greqinë. Obama dhe Lew, që të dy kishin udhëtuar për në Athinë gjatë krizës, ashtu sikurse zëvendëspresidenti, Joseph R. Biden Jr., i cili ishte rikthyer vitin e kaluar atje, pasi e kishte lënë zyrën.

Trump priti Tsipras tetorin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, dhe dy shtetet diskutuan për zgjerimin e prezencës ushtarake amerikane në Greqi, përfshirë edhe qasjen e anijeve dhe aeroplanëve të SHBA-së.

Nëse e shikoni gjeografinë, dhe i shihni operacionet aktuale në Libi, dhe i shikoni operacionet aktuale në Siri, i shikoni operacionet tjera potenciale në lindje të Mesdheut, gjeografia e Greqisë dhe mundësitë këtu janë mjaft të konsiderueshme”, kishte thënë Joseph F. Dunford Jr., kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabeve, gjatë vizitës së fundit në Athinë.

Brenda establishmentit të sigurisë kombëtare amerikane, zyrtarët kishin qenë qartazi duke kërkuar ta shtyjnë Athinën larg marrëdhënieve të saj me Moskën.

“Po e kultivojmë Greqinë si një ankorues të stabilitetit në lindje të Mesdheut si dhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë në qershor A. Wess Mitchell, asistent sekretar i shtetit për Punët me Evropë dhe Euroazi.

Argumenti diplomatik

Më 11 korrik, Tsipras u nda me Moskën. Qeveria e tij dëboi dy diplomatë dhe i ndaloi dy të tjerë rusë që të hyjnë në Greqi, duke i akuzuar për tentim ryshfeti ndaj zyrtarëve të paidentifikuar dhe për nxitje demonstratash kundër marrëveshjes së Maqedonisë.

“Mosrespekti i vazhdueshëm për Greqinë duhet të ndalojë”, kishte thënë Ministri i Jashtëm i Greqisë në një deklaratë. “Askush nuk mundet e as nuk e ka të drejtën të ndërhyjë në punët e brendshme të Greqisë”.

Moska më vonë kishte thënë se po i dëbonte diplomatët grekë në shenjë kundërpërgjigje.

Pak pasi Athina kishte njoftuar se po i dëbonte rusët, ambasadori amerikan Pyatt, iu kishte dërguar në mënyrë triumfante mesazhe elektronike një numri kolegësh dhe ish-kolegësh në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon. Heather Nauret, një zëdhënëse e Departamentit Amerikan të shtetit, kishte postuar në Twitter pas njoftimit:

“#Greqia dëboi dy zyrtarë rusë dhe ua ndaloi hyrjen dy tjerëve për tentim të ndërhyrjes në politikat greke. Ne e përkrahim Greqinë në mbrojtjen e sovranitetit të saj. #Rusia duhet t’i japë fund sjelljes së saj destabilizuese”.

Roli amerikan në dëbimin grek po ashtu tregon se sa e gjerë është çarja që e ndan Trump-in – i cili publikisht e ka kontestuar NATO-n përderisa në të njëjtën kohë ka shprehur admirim të thellë për Putinin – me establishmentin e sigurisë kombëtare amerikane, rrënjët e së cilës mbeten në besimin e fortë që përpjekjet e Rusisë për t’u përzier në zgjedhjet në SHBA dhe mes aleatëve amerikanë janë  kërcënim gjeopolitik për sigurinë amerikane.

Ky është një mendim që rrallëherë, nëse ndonjëherë, është shprehur nga Trump. Por është diçka që një varg zyrtarësh amerikanë e përsërisin për çdo ditë.

“Lloji i sjelljeve të këqija që Rusia i ka praktikuar, nga Maqedonia e deri te Shtetet e Bashkuara është gjithmonë i papranueshëm, sipas meje”, kishte thënë Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, për reporterët më 11 shtator pas referendumit të 30 shtatorit.

Pas komenteve të tij erdhi një vizitë e tij në Shkup për të dhënë “një deklaratë specifike që ne jemi me popullin maqedonas”.

I pyetur nëse kishte diçka që SHBA-ja po bënte për t’i luftuar përpjekjet e Rusisë për ndërhyrje në referendum, Mattis kishte thënë: Po.

Ai kishte refuzuar që të hynte në detaje por zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes thanë që ata po ashtu po lansojnë operacione informatash bashkë me qeveritë e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Ukrainës, për t’iu kundërvënë dezinformatave ruse në zgjedhje dhe referendume atje.

Asnjë nga përpjekjet e amerikanëve në prapaskenë nuk mund të shndërrohet në diçka nëse parlamenti maqedonas nuk pajtohet për ndryshim të emrit. Por kryeministri Zoran Zaev, i cili ua dërgoi masën ligjvënësve këtë javë, ka thënë që ai do të thërrasë për zgjedhje të parakohshme nëse kjo masë dështon.

 

 

Përkthimi i këtij artikulli është realizuar nga Klan Kosova. Nuk lejohet përdorimi i plotë apo i pjesshëm i këtij përkthimi.