10:30, 9 Nëntor 2018

Në Qendrën Mediale në Çagllavicë, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka organizuar një debat publik për pakon e Projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me pjesëtarët e komunitetit joshqiptar.

Nënkryetari i këtij komisioni, Rexhep Selimi, u ka thënë serbëve të pranishëm se Lista Serbe nuk është përfaqësimi i duhur për ta.

“Lista Serbe nuk po iu përfaqëson si duhet juve serbëve në Kuvend. I lus serbët që të bëhen pjesë e diskutimeve për ligjet e FSK-së, e cila do t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve”.

Në ndërkohë, anëtari i këtij Komisioni, Fatmir Xhelili u ka thënë serbëve se nuk duhet të bien pre e presioneve.

“Mos të bëhet panik. Ushtria e Kosovës po bëhet ngadalë dhe do të zgjatë 10 vjet. Ftoj serbët që të bëhen pjesë e FSK-së. Ajo do t’i mbrojë të gjithë qytetarët, e mos dhashtë Zoti edhe integritetin territorial”, ka thënë ai.