11:19, 11 Janar 2019

Kosova eksporton shërbime të bizneseve inovative, digjitale në vlerë të rreth 30 milionë eurove, ky është i vetmi sektor ku bilanci është pozitiv.

Kjo sot u bë e ditur nga takimi që pati kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ndër tjera këtu u prezantuan të gjitha projeksionet që ka kjo ministri gjatë këtij viti.

Haradinaj deklaroi se qeveria do të jetë partnere e këtyre bizneseve, po ashtu kërkoi edhe ndihmën e të tjerve për këtë ministri.

Kryeministri Haradinaj, më tutje, theksoi se është biseduar edhe për mundësinë që do t’iu japin investitorëve të rinj dhe me këtë rast inkurajoi që të ndihmohet Kosova për të arritur rezultatet përmes këtyre bizneseve të reja, që të fitohen brende të tjera.

“Ne i kemi disa brende shumë të mira në sport, pra, kemi arritur nivelet botërore dhe shpresoj se edhe me disa kompani, që kanë arritur tregjet botërore, të ecim përpara”, tha kryeministri Haradinaj,

Duke shtuar se Kosova eksporton shërbime të këtyre bizneseve inovative, digjitale në vlerë rreth 30 milionë euro, duke qenë kështu i vetmi sektor, ku bilanci është pozitiv, njofton Klan Kosova.

Ndërkaq, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, u shpreh i kënaqur me vizitën e sotme të kryeministrit dhe tha se biseduan për vitin ekonomik të shpallur nga vetë kryeministri, e po ashtu edhe t’i bashkërendojnë aktivitetet e tyre.