“Demarkacioni është kushtëzuar nga pakica serbe me pjesë në Bordin e Trepcës, në aksione të Trepçës dhe me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Unë i garantoj të gjithë se LDK-ja nuk do të veprojnë në kushte shantazhi dhe presioni”

18:32, 14 Mars 2018

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk do të pranojnë ta votojnë demarkacionin në kushte të shantazhit dhe presionit nga Lista Serbe.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se meqë LDK-ja shmangu rrezikun që serbët të kishin sot 37 deputetë, kur nuk patën pranuar kushtëzimin e tyre për ushtrinë me vendet e rezervuara, nuk do të ishte logjikë që tash të pranojë kushtëzimet e serbëve për demarkacionin.

“LDK-ja nuk do të pranojë të veprojë nën kushte të shantazhit dhe koncesionit për pakicat tjera, në dëm të interesit të vendit. Besoj që tashmë gjendja që duhet menaxhuar është brenda partnerëve të koaliconit. Ne jemi opozitë konstruktive dhe shumë komod në pozicionin tonë politik”.

“Demarkacioni është kushtëzuar nga pakica serbe me pjesë në Bordin e Trepcës, në aksione të Trepçës dhe me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Unë i garantoj të gjithë se LDK-ja nuk do të veprojnë në kushte shantazhi dhe presioni”.

“Ne nuk kemi pranuar me asnjë kusht që të humbet sovraniteti i vendit. Sepse në kushte të shantazhit ndodh kjo gjë. Ne nuk kemi pranuar shantazhin e pakicës serbe, me vende të rezervuara, për të votuar ushtrinë”.

“Sepse nëse do të pranohej atëbotë shantazhi i tyre, sot Lista Serbe do t’i kishte 22 deputetë, plus 15 nga pakicat. Ata sot kanë dhjetë deputetë dhe shikoni çfarë kërkojnë, lëre më po t’i kishin gjithë ata deputetë. Kishte rrezik që në rrethana të caktuara ai grup të ishte grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës”.

“Tani duket se në kushte shantazhi Ramush Haradinaj po e ka të vështirë t’i mbajë nervat, sepse ai shantazhohet për çështjen e demarkacionit”.

Ndërsa, sa i përket debatit të sotëm të ashpër që pati sot në Kuvendin e Kosovës me kryeministrin Ramush Haradinaj, Gashi theksoi se të tilla përplasje mund të degjenerojnë edhe në konflikt fizik.

“Mendoj që Ramush Haradinaj e kuptoi gabimin që ka bërë dhe kërkoi falje. Ai në vazhdimësi ka seanca ku tregon mosdurim me LDK-në. Ky mosdurim po degjeneron në gjuhën që ai përdor me deputetë. Në momente të tilla kur dikush drejtohet me gjuhë të tillë, përgjigja është personale. Ndaj edhe mund të ndodhë (përplasja fizike)”. /klankosova.tv