8:24, 14 Shkurt 2018

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës do ta mbajë sot një grevë njëorëshe, me arsyen se Qeveria e Kosovës nuk e ka mbajtur fjalën në raport me punëtorët e arsimit.

Ata do ta mbajnë këtë grevë në orën e parë të mësimit në ndërrimet e paradites dhe pasdites, ndërsa më 20 shkurt parashihet grevë dyorëshe.

“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe apelojmë që të mërkurën , më 14 shkurt nxënësit mos të jenë në shkollë në orën e parë në të dy ndërrimet. Ata le të jenë në vatrat e tyre të diturisë në kohën e duhur për të nisur orën e dytë. Nëse gjendja nuk ndryshon , atëherë ju lusim që edhe të martën, më 20 shkurt nxënësit mos të jenë në shkolla në dy orët e para të të dy ndërrimeve, por të shkojnë me kohë për të nisur mësimin në orën e tretë. Këtë apel e bëjmë për hir të sigurisë së nxënësve tanë ngase mësimdhënësit janë në grevë dhe nxënësit në oborre shkollash, apo pa mësimdhënësit në klasë, do të sfidohen nga ndonjë zënkë a rrezik tjetër”, shkruan SBASHK-u në njoftimin e tyre.