10:13, 7 Maj 2017

Mbrëmje perfekte për San Antonio Spurs që hakmerret ndaj Houston Rockets në ndeshjen e tretë të gjysmëfinales së Perëndimit duke kaluar në avantazh 2-1.

Në shtëpinë e Rockets, skuadra e Greg Popovich zhviloi ndeshjen perfekte duke e dominuar 103-92 falë formës fantastike të Kaëhi Leonard e LaMarcus Aldridge që shënuan nga 26 pikë.

Ishte pikërisht Aldridge që arriti të tregonte klasin e tij duke i dhënë një bonus të madh skuadrës së San Antonios pasi arriti të mbulonte mjaft mirë hapësirat e të dëmtuarit Tony Parker. 9 pikë në periodën finale nga shtatlarti i Spurs rezultuan fatale për Houston që pas suksesit të ndeshjes së parë duhet të nisë gjithçka nga fillimi për të siguruar kualifikimin.

Në krahun tjetër, James Harden me 43 pikë nuk mjaftoi që Houston të shkonte te fitorja pasi Popovich goditi në shenjë me të riun Dejounte Murray por edhe me Patty Mills.

Në këtë mënyrë, San Antonio siguron një avantazh komod dhe fshin zhgënjimin e disfatës së parë në shtëpi duke siguruar një avantazh të lehtë edhe pse në ndeshjen e katërt duhet të bëjë gjithçka për një tjetër fitore që do ta afronte edhe më shumë me finalen e Perendimit.

Ndeshja e radhës do të luhet sërish në Houston dhe më pas do të zhvendoset në San Antonio të Martën në mbrëmje. Në Lindje, Cleveland vazhdon rrugëtimin e suksesshëm duke e çuar në 3-0 avantazhin ndaj Toronto Raptors. LeBron James i pagabueshëm edhe në përballjen e radhës kundër kanadezëve.

35 pikë personale për ”Mbretin” dhe 16 për Kevin Love i siguruan fitoren komode kampionëve në fuqi me 115-94. Raptors edhe pse në shtëpinë e tyre dhe me 37 pikë të të përhershmit DeMar DeRozan, u shfaqën trë pafuqishëm për t’i bërë ballë skuadrës nga Ohio që avantazhohet falë eksperiencës dhe emrave të mëdhenj që ka në gjirin e saj.

Cleveland bëhen skuadra e parë që prej vitit 1949 që fitojnë 7 ndeshjet e para play off dhe tshmë janë vetëm një fitore larg finales së Lindjes ku mund të ndeshen me njërën prej çiftit Washington-Boston, shkruan SuperSport.al, përcjellë Klan Kosova.

 

Interesante