21:48, 12 Korrik 2018

Liderët e NATO-s do ta kthejnë vëmendjen tek konflikti në Afganistan në ditën e dytë të samitit të dominuar deri më tani nga kërkesat e presidentit Donald Trump.

Të mërkurën, Trump i kërkoi aleatëve të NATO-s të angazhoheshin për 4 për qind të GDP në shpenzime ushtarake. Ai po ashtu veçoi Gjermaninë në kritikat në lidhje me shpenzimet e saj ushtarake. Liderët e NATO-s shpresojnë për tone më pajtuese të enjten, para se Trump të largohet nga Britania e Madhe. Por, në një postim në “Tëitter”, natën vonë, nga Brukseli, presidenti amerikan përsëriti kritikat e tij.

“Miliarda dollarë shtesë po shpenzohen nga vendet e NATO-s që nga vizita ime vitin e kaluar, me kërkesën time, por kjo nuk mjafton – shkruante ai. Më herët, Trump akuzoi Gjermaninë se ishte peng i Moskës për shkak të varësisë nga gazi rus, duke pretenduar se ajo totalisht kontrollohej nga Moska.

Shifrat e BE sugjerojnë se Rusia është përgjegjëse për 50 deri në 75 për qind të importeve të gazit të Gjermanisë por gazi zë më pak se 20 për qind të energjisë që konsumohet në gjermani. Ditën e dytë të samitit, presidenti afgan, Ashraf Ghani, do të jetë i pranishëm dhe sekretari i përgjithshëm i aleancës shpreson që blloku të bjerë dakord për të financuar forcat afgane të sigurisë deri në 2024, shkruan Top Channel.

Kryeministrja britanike Theresa May, ka konfirmuar se Britania e madhe do të dërgojë edhe 440 trupa shtesë të shërbejnë në role jo luftarake në Afganistan. SHBA po ashtu do të dërgojë 3 mijë trupa shtesë për të mbështetur forcat afgane në shtator 2017, duke e çuar numrin total në 15 mijë. Tema të tjera diskutimi në samit do të jenë edhe lidhjet e aleancës me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, vende që kërkojnë t’i bashkohen NATO-s, por sidoqoftë, nuk pritet progres mbi ambicien e tyre. Kjo për shkak se Rusia është angazhuar në ndërhyrje territoriale në të dyja shtetet dhe rregullat e NATO-s ndalojnë vendet me konflikte territoriale, t’i bashkohen asaj.

Në kontrast, një ceremoni do të mbahet për Maqedoninë, pasi ajo u ftua të nisë bisedimet anëtarësimit, të mërkurën.

Interesante