Rikthehet Festivali i Teatrove në Butrint

Rikthehet Festivali i Teatrove në Butrint

NULL NULL
6 years më parë
Rikthehet pas një viti ndërprerjeje Festivali i Teatrove në Butrint nga data 18-23 korrik, më i tkurrur në numrin e trupave pjesëmarrës

Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Butrint, pas një viti mungese rikthehet nga data 18-23 korrik në skenën e amfiteatrit të Butrintit.

Pas një sërë përplasjesh mes drejtuesve të këtij festivali dhe Ministrisë së Kulturës, për shkak të buxhetit të vogël që kjo e fundit akordoi këtë vit për një festival të përmasave të tilla (vetëm 10 mijë euro), drejtori i tij, Alfred Bualoti, ka vendosur ta bëjë festivalin në këto kushte.

“Është një përpjekje e jona për të ruajtur një traditë dhe një standard të vendosur, që solli përgjatë këtyre viteve në Butrint teatro të njohur nga e gjithë bota”, thotë Bualoti, duke thënë se ky vit mund të quhet “sakrifica e artistëve”, pasi me një letër u është drejtuar të gjithë artistëve që i fton të vijnë të jenë pjesëmarrës në festival, duke kontribuuar në mbajtjen gjallë të një fryme të nisur kohë më parë për teatrin.

Por, mungesa e buxhetit të duhur për një festival të tillë teatri ndihet jo vetëm në tkurrjen e numrit të ditëve në pesë, por edhe në trupat pjesëmarrës.

Janë tri kompani teatrore të huaja pjesëmarrëse dhe ato nga vendet fqinje dhe dy të tjerat janë shqiptare.

Dita e parë e festivalit do të hapet me teatrin bullgar, i cili do të ngjitë në skenë shfaqjen “Dekameroni” nën regjinë e Diana Dobrevës.

Në ditën e dytë do të jetë teatri “Silence” i Bergamos, në Itali që do të ngjitë në skenë veprën “Zëra të huaj” nën regjinë e Luigi Pezzoti-t.

Në ditën e tretë do të jetë teatri “Aleksandër Moisiu” i qytetit të Durrësit, që do të ngjitë në skenën antike të Butrintit një nga pjesët më të suksesshme të këtij viti, “Elektrën” nën regjinë e Laert Vasilit.

teatro-3

Më pas në skenë do të ngjitet trupa e teatrit të komedisë së Shkupit, për të ngjitur në skenë “Lisystratën” e Aristofanit, nën regjinë e Natasha Poplavska.

Ditët e edicionit të 13 të festivalit të Butrintit do të mbyllen nga një vepër e njohur që vjen nën interpretimin e aktorit të njohur shqiptar Mirush Kabashi. /gazeta-shqip.com