17:05, 9 Nëntor 2018

Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, ka bërë të ditur se Programi Nacional për Rininë (PNR), ofron mundësinë e platformës në të cilën gara i përgjigjet sistemit të njohurive të Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar.

Hoti ka bërë të ditur se Programi Nacional për Rininë është ndërtuar mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe vijueshmërisë, njofton Klan Kosova.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport me Programin Nacional për Rininë e ka formësuar idenë e pjesës praktike të sistemit të nxënies, që u garanton pjesëmarrje të gjithë nxënësve në tri fusha kryesore:

a) Në Dituri – nëpërmjet testeve – në të gjitha lëndët e arsimit parauniversitar, nga vlerësimet e jashtme dhe PISA-s;
b) Në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik (KKMK) – për të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar, që u mundëson atyre t’i shprehin aftësitë krijuese dhe fuqinë e mendimit dhe
c) Në Sport – për të gjithë nxënësit e niveleve parauniversitare nëpërmjet kampionateve shkollore në katër disiplina: futsall, volejboll, shah e atletikë, në universitete edhe në basketboll.

Në Programin Nacional për Rininë parashihet mbajtja e garave në nivel vendi në katër nivele kryesore fillimisht:

1. Garat në nivelin shkollor;
2. Garat në nivelin komunal;
3. Garat në nivelin universitar dhe
4. Garat në nivelin republikan.

Në perspektivë janë paraparë edhe garat në nivele:

a) Ndërshtetërore/Mbarëkombëtare dhe
b) Me diasporën/mërgatën.

Çdo vend i parë në çdo garë do të jetë i shpërblyer.

 

klankosova.tv