16:29, 14 Qershor 2018

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore Albena Reshitaj ka vizituar Kompaninë  Rajonale të  Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, ku u prit nga Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj Kompanie  Besim Baraliu me bashkëpunëtor.

Në takim u diskutuan problemet në fushën e ujësjellësit, trajtimit të ujërave të zeza si dhe realizmi i projekteve të përbashkëta.

Reshitaj  deklaroi se ministria që ajo drejton është duke realizuar projekte në ujësjellës dhe trajtim të ujërave të zeza, me qëllim që secila familje në Kosovë të këtë qasje në ujë të pijshëm si e drejta elementare e njeriut.

Ajo ka folur edhe për projektet e planifikuara për vitin e ardhshëm në regjionin e Prizrenit për të zgjeruar rrjetin e ujësjellësit  dhe kanalizimit.

Nga ana tjetër, kryeshefi  ekzekutiv i Hidroregjionit Jugor, Besim Baraliu falënderoi ministren Reshitaj për angazhimin në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë duke vlerësuar vullnetin e saj politik për të përkrahur zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në vende ku ende mungon ky rrjet, transmeton Klan Kosova.