12:43, 12 Tetor 2018

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka sqaruar vendimin për ndalimin e punimeve të kompanisë “Bechtel-Enka” në punimet për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, pas orës 23:00 me arsyetimin se po iu shkakton zhurmë banorëve përreth.

Ai për Klan Kosovën tha se pas shumë ankesave drejtuar kompanisë është vendosur që sot (të premten) të mbahet një takim në orën 14:00 mes komunës dhe Drejtorit Gjeneral të kompanisë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Ndërkaq Klan Kosova ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësen e kompanisë “Bechtel-Enka”, Ela Ruçin, por ajo nuk ka qenë e qasshme.

Pos zhurmës vendimi i Sumës është arsyetuar edhe me dëmtimin e pronës publike dhe asaj private si dhe mbylljes së disa rrugëve ekzistuese.

“Përderisa kompania Bektel Enka nuk do t’i riparojë të gjitha dëmet e shkaktuara në pronat publike komunale dhe ato private të pa shpronësuara, komuna e Hanit te Elezit, nuk do të lejojë këtë kompani të shfrytëzoj pronën publike komunale”.