16:23, 18 Prill 2017

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, priti sot në takim artistin shqiptar të mozaikëve, me famë botërore, Saimir Strati.

Strati e njohu Kryetarin Reçica, me veprimtarinë e tij artistike, të veçantë e të njohur ndërkombëtarësisht, të vlerësuar lart nga kritika botërore, njofton Klan Kosova.

Fituesi i disa çmimeve Guinness, Strati, theksoi përkushtimin për të promovuar, nëpërmjet veprave të tij artistike, vlerat kombëtare, duke i bërë ato të njohura anekënd botës. Në këtë drejtim, ai theksoi nevojën e një mbështetjeje më të madhe për artin nga politika dhe institucionet në përgjithësi. 

unnamed-2

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, duke e konsideruar artin që kultivon z. Strati si një vlerë të rrallë unike, theksoi se artistë të tillë arti duhen mbështetur nga të gjithë, sepse, siç tha ai, ata përbëjnë misionin më të mirë përfaqësues të një shteti dhe kombi, njofton Klan Kosova.

Kryetari Reçica vlerësoi se populli shqiptar përgjatë historisë së tij, i ka dhënë njerëzimit personalitete të shquara në lëmenj të ndryshëm, të cilët, më pas, me vlerat e tyre humane e artistike, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë botërore.

Ai vlerësoi lart punimet artistike të z. Strati, në veçanti portretin e humanistes së madhe shqiptare, Nënë Tereza, të punuar në kopsa teli.

Sonte në Muzeun Kombëtar të Kosovës, organizohet ceremonia e rekordit të 10-të Guinness, nga artisti Saimir Strati, njofton Klan Kosova.

Interesante