19:19, 11 Janar 2018

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka përshëndetur miratimin e ligjit të gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë.

“Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe, një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”, shkroi Rama në Facebook.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot me 69 vota “pro” e miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve.Ligji është votuar edhe me shumicë të dyfishtë, gjegjësisht për të votuan 27 deputetë prej bashkësive jo shumicë, ndërsa një abstenoi.

Siç theksohet në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë, me ligjin parashikohet në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj të jetë edhe gjuha që e flasin dhe e përdorin alfabetin e saj (gjuha shqipe) 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.