Rama në OKB: BE t’i mbajë dyert e hapura, jo izolimit të Kosovës (VIDEO) NULL NULL 22.09.2017 17:55 22.09.2017 17:55 Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se prioritet i qeverisjes së tij është anëtarësimi në BE. “Integrimi prek çdo qelizë të arkitekturës sonë të zhvillimit. Është aftësia jonë për të bërë reformat e nevojshme që do të mundësojnë këtë proces. Reforma e drejtësisë që po zbatojmë është çelësi”, ka deklaruar Rama. Nga ana tjetër, ka theksuar kreu i qeverisë, Shqipëria pret që partnerët europianë të hapin dyert për negociatat e anëtarësimit. “Shpresojmë që BE, pavarësisht krizës aktuale, zgjerimin ta ketë prioritet. Aq sa Shqipëria ka nevojë për BE, aq edhe BE ka nevojë për një Ballkan më të zhvilluar e të qëndrueshëm”. Rama ka nënvizuar se është e nevojshme që ndërkombëtarët t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë faktorët në rajonin e Ballkanit, përfshirë këtu Kosovën, e cila sipas tij ka nevojë të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare, shkruan Top Channel. “Prandaj ne besojmë se anëtarësimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtarë do t’i shërbejë stabilitetit. Shumë e kanë përdorur këtë foltore për të deklaruar se nga pavarësia e Kosovës do të lindin forca të errëta. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Sot Ballkani perëndimor është shumë i mirë se 7 apo 10 vjet përpara. Pavarësia e Kosovës jo vetëm nuk çliroi asnjë forcë të errët, por solli stabilitet”. Ndër të tjera gjatë fjalimit të tij, kryeministri shqiptar ka folur për kërcënimet që i kanosen sot mbarë botës nga fenomenet e rrezikshme si terrorizmi dhe ekstremizmi. “Rendi global është sfiduar seriozisht. Asnjë vend, sado i madh e i fuqishëm nuk mund të përballet me këto probleme i vetëm. Këto kriza kërkojnë një aksion të bashkërenduar. Disfata e ISIS në terren nuk do të thotë se ai do të zhduket përfundimisht”, ka thënë Rama. Duke theksuar se, Shqipëria ishte një prej vendeve të para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar, kryeministri ka shtuar se vendi ynë është i gatshëm t’i kryejë detyrat e tij në këtë drejtim. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Komuna Gjilan: MAPL-ja konfirmon si të ligjshëm vendimin për këmbimin e pronave komunale me ato të Republikës së Kosovës 14 minuta më parë