12:37, 13 Qershor 2018

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në Durrës për projekte të rëndësishme infrastrukturore që janë pjesë e Paketës së Rindërtimit.

Duke u ndalur tek autostrada Tiranë-Durrës, Rama tha se studimi që po kryhet për rindërtimin dhe zgjerimin përfundon në muajin korrik. Por edhe rruga e vjetër për në Durrës, ajo Tiranë-Ndroq-Plepa do të rindërtohet.

“Rrugët kombëtare do të jenë shumë më të mirëmbajtura më në vijimësi. Po Tiranë-Durrës nuk është një rrugë që meriton thjesht mirëmbajtje, po tani ka domosdoshmërinë e një rindërtimi dhe zgjerimi. Për këtë po bëjmë një studim që përfundon rreth mesit të korrikut ku duam të vlerësojmë rindërtimin dhe zgjerimin për të rritur shpejtësinë e kontaktit mes Durrësit dhe Tiranës dhe sigurinë e lëvizjes në aksin ekzistues me pagesë”.

“Ndërkohë rindërtimin dhe pastaj shfrytëzimin pa pagesë të një tjetër aksi të rëndësishëm të degraduar për kaq shumë vite, Tiranë- Ndroq-Plepa që hap prespektivë për zhvillimin e mëtejshëm të agorturizmit ku ka shenja të para dhe peisazhe e potenciale të jashtëzakonshme për agroturizmin”, tha Rama duke përmendur dhe projekte të tjera të rëndësishme si Kashar-Thumanë, Kavajë-Rogozhinë etj.

Duke folur për punësimin, kryemninistri shqiptar tha se pagat e ulëta janë në të gjithë rajonin dhe kjo lidhet me produktivitetin e ekonomisë, shkruan Top Channel.

“Po ashtu është e qartë që pagat e ulëta në Shqipëri janë ende shumë të uleta, po kjo është në të gjithë rajonin dhe lidhet me produktivitetin e ekonomisë, kapacitetin e burimeve tona njerëzore, dhe orientimin e ekonomisë drejt disa sektorëve, aktiviteteve dhe veprimtarive që shfrytëzojnë koston e ulët t ëkrahut të punës, duke qënë krah pune me mangësi në aspektin e kualifikimeve”.

“Por nga ana tjetër, pa thënë në asnjë mënyrë se ekonomia është në lulzim duhet të themi dhe nuk kuptoj pse një pjesë e njerëzve nuk duan ta pranojnë që ekonomia është një kthesë që ka nisur. Ekonomia është në një kthesë dhe këtë e dëshmojnë të gjithë parametrat me të cilat matet ekonomia. Shifra e re e papunësisë që është rekord historik pas 22 vjetësh pasqyron raportin e mëparshmë të BB që nënvizon se në rajon Shqipëria ka bërë progresin më të madh përsa i përket luftës kundër papunësisë dhe rritjes së punësimit”.