17:41, 21 Prill 2017

Në takimin që pati me të rinjtë e Kukësit, Tropojës dhe Hasit, Edi Rama e kërkoi votën nga djemtë dhe vajzat e veriut në 18 qershor, duke nxitur ndjenjën e hakmarrjes ndaj atyre që i quajti “gjykatës të korruptuar”.

Rama e nisi fjalimin në Kukës me premtimet për projektet dhe punët që do të bëjnë socialistët në të ardhmen, por më pas kaloi tek akuzat për kundërshtarët politikë. Demokratët që qëndrojnë në çadër i lidhi me gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që nuk duan vetingun.

“Kur të mendoni 18 qershorin dhe kur të mendoni se për herë të parë në jetë keni në dorë një votë, mendoni pak, sa nëna, sa nëna janë veshur me të zeza dhe sa kriminelë që iu kanë vrarë fëmijët, i kanë shpëtuar drejtësisë për shkak të gjykatësve të korruptuar. Dhe me votën tuaj pushojini nga puna gjykatësit e korruptuar. Mendoni pak sa vajza dhe sa gra janë dhunuar, janë rrahur dhe përdhunuar dhe dhunuesti, vrasësit dhe përdhunuesit e tyre i kanë shpëtuar drejtësisë duke paguar gjykatësit e korruptuar dhe me votën tuaj merrni hak për ato motra dhe për ato nëna dhe bëni të mundur që ato gjykatës të shkojnë përpara drejtësisë”, ka thënë ai, shkruan Lapsi.al.

“Mendoni pak sa baballarë, njerëz të urtë, të ndershëm kanë humbur pronën e trashëguar nga stërgjyshërit e tyre, sepse këta gjykatës të korruptuar, pronën e tyre ia kanë dhënë agallarëve. Dhe me votën tuaj merrni hak se secili prej atyre baballarëve, mund të ishte babai juaj. Dhe ka kaq shumë arsye për të marrë hak në 18 qershor, sepse kaq shumë padrejtësi i janë bërë këtij vendi, sa ju duhet të siguroni, që aq sa arsye gjeni për të votuar, aq shokë e shoqe të merrni në votime”, ka vazhduar tutje ai.

Një mesazh disi të çuditshëm, Rama e bëri për të rinjtë socialistë, që sipas tij duhet të përhapin thirrjen se tani “Juventusin e kemi, por të kemi edhe Partinë Socialiste” ose“Barcelonën e kemi, por të kemi edhe Partinë Socialiste”.

Të rinjtë e Kukësit, Tropojës dhe Hasit nuk ndalën brohorimat në sallë, ndërsa fliste kryeministri që i premtonte Barcelonën dhe Juventusin, pavarësisht se nuk kuptohet mirë, ku donte të dilte Rama me këto premtime.

Interesante