Qëndrimi i Qëndron Kastratit për mospjesëmarrje në debatet me Shaip Surdullin NULL NULL 14.11.2017 23:09 14.11.2017 23:09 Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook i ka treguar arsyet pse është larguar nga debati i sotëm televiziv me kundërkanditatin nga LDK, Shaip Surdullin, dhe përse nuk do të marrë pjesë në debatet e ardhshme, njofton Klan Kosova. Komunikata e Shtabit Zgjedhor të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Dardanë Të nderuar qytetarë të Dardanës, Zgjedhjet lokale janë njëra nga shtyllat kryesore të demokracisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! gjatë gjithë fushatës zgjedhore ka zhvilluar takime e paraqitje publike në përputhje me parimet e demokracisë. Në çdo takim apo tubim, në çdo debat televiziv, kemi paraqitur programin tonë dhe i kemi respektuar kundërkandidatët. Për ne ka qenë dhe është e rëndësishme që Dardanës t’i japim alternativë të denjë qeverisëse për katër vitet e ardhshme dhe këtë synim e kemi zbatuar në vazhdimësi. Në raundin e parë të zgjedhjeve, Lëvizja VETËVENDOSJE! doli e para me 33.33% të votave të qytetarëve të Dardanës. Ky rezultat ishte tregues i qartë i nevojës dhe kërkesës së qytetarëve për ndryshim. Edhe në periudhën e balotazhit ne vazhduam me të njëjtën praktikë demokratike të fushatës. E dyta u rendit Lidhja Demokratike e Kosovës. E gjendur në situatë të pafavorshme dhe e etur për pushtet, LDK filloi të përdorë metoda të papranueshme të t’bërit fushatë. Shtabi i LDK-së filloi të përhapë shpifje ndaj kandidatit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kryetar gjithandej në Dardanë, duke mos kursyer asnjë kategori sociale. Rasteve sociale u thoshin se nëse fiton Lëvizja VETËVENDOSJE!, do t’ua ndalë asistencën, bizneseve u thoshin që do ta pengojmë veprimtarinë e tyre, shitësve të drurit u thoshin që s’do t’u japim leje për veprimtarinë nga e cila sigurojnë jetesën. Të gjitha këto janë propaganda të pavërteta. Ne në vazhdimësi e kemi theksuar se do të qeverisim me dhe për qytetarin, prandaj nuk ka asnjë logjikë që ne ta bllokojmë jetën sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Dardanës – edhe ashtu të papunë si pasojë e keqqeverisjeve të kaluara. Lëvizja VETËVENDOSJE!, si parti e qendrës së majtë, e ka në fokus qytetarin dhe barazinë sociale, me synim që qeverisjen qendrore dhe lokale ta orientojë drejt arritjes së jetës së dinjitetshme. Kjo qasje e LDK-së është absurde, i keqpërdor nevojat e qytetarëve me qëllim të manipulimit dhe shpërndan shpifje dhe propagandë të ultë. Mirëpo, LDK nuk u mjaftua vetëm me këto shpifje, duke kaluar çdo kufi të etikës dhe moralit politik. Përfaqësues të saj, me qëllim fitoren e pamundshme në Dardanë, filluan të nxisin urrejtje ndëretnike në qytetin tonë, i cili njihet si shembull për tolerancë dhe bashkëjetesë etnike. Për t’ua vjelë votat me metoda jashtë çdo niveli, komunitetit rom dhe atij serb u është thënë që me ardhjen e Qëndron Kastratit në pushtet në Dardanë, “ata do të dëbohen nga komuna”. Tutje, atyre u është thënë që kjo do të ndodhë për shkak se “Qëndroni është djalë i terroristit dhe kriminelit”. Historinë e Dardanës e dinë të gjithë qytetarët, dhe përdorimi i emrave të dëshmorëve për motive të ulëta të marrjes së pushtetit është tërësisht e papranueshme. Kandidati i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Dardanës, Qëndron Kastrati, sot në debatin zgjedhor në televizionin Tribuna Channel e ka shprehur qëndrimin e tij ndaj kësaj fushate dhe në shenjë proteste është larguar nga emisioni. Ju njoftojmë që me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë për të marrë pjesë në debatet zgjedhore, ne nuk do të mund të marrim pjesë. Është e pamundur të ballafaqohemi me këtë nivel të padinjitetshëm të politikëbërjes. Andaj, ne do ta vazhdojmë fushatën politike duke takuar dhe bashkëbiseduar me qytetarë të Dardanës. Programin dhe planet tona për një qeverisje të drejtë dhe të orientuar nga zhvillimi do të vazhdojmë t’i ndajmë drejtpërdrejt në takime me qytetarët. Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj. Shtabi Zgjedhor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Dardanë *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Crosetto pas takimit me Maqedoncin: Do të bashkëpunojmë me FSK-në për të mbështetur sigurinë në rajon 1 orë më parë
Kosova Maqedonci informoi homologun italian për mbështetjen që Kosova po i ofron Ukrainës 2 orë më parë
Kosova Maqedonci pas takimit me homologun italian: Kosova në NATO do të garantonte stabilitet dhe paqe në Ballkan 3 orë më parë