12:55, 14 Shtator 2017
Autor: Liridon Zeqiri

Ramush Haradinaj u rikthye në Zyrën e Kryeministrit pas më shumë se 12 vjetësh.

Me rrethana krejtësisht të reja, ai e mori sërish timonin e Qeverisë së Kosovës.

Në kabinetin e tij, në përbërje prej pesë zëvendëskryeministrave dhe 21 ministrave, zëri do të mund t’iu dëgjohet vetëm dy grave.

Albena Reshitaj, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimeve Evropiane, janë të vetmet që u është dhënë besimi që të drejtojnë dikastere qeveritare.

Përkthyer në numra, Qeveria Haradinaj nuk do të ketë as 10% gra, pasi Reshitaj dhe Hoxha përbëjnë vetëm 9.5% të kabinetit qeveritar.

Kjo është përqindja më e vogël në krahasim me Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Edhe Shqipëria e ka formuar qeverinë e re këto ditë.

Por, balanci i saj gjinor është krejt ndryshe.

Kryeministri Edi Rama në mandatin e dytë ka vendosur që barazia mes ministrave burra dhe ministreve gra të jetë e plotë: 50 me 50.

Megjithatë, ky nuk është dallimi i vetëm i madh mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, njofton Klan Kosova.

Në Prishtinë pesë politikanë burra janë zëvendëskryeministra, në Tiranë këtë post e ka vetëm një zonjë. Senida Mesi.

Krahasuar me Haradinajn, Rama ka dhjetë ministri më pak në mbikëqyrje.

Ai u ka besuar politikaneve gra resorë me rëndësi si Ministria e Mbrojtjes, Shëndetësisë, Drejtësisë dhe Ndërmarrësisë.

Derisa në Kosovë dhe Shqipëri, qeveritë i drejtojnë burrat, në Serbi ekzekutivi udhëhiqet nga një grua – Ana Bërnabiq.

Bërnabiq menaxhon me 21 ministri njëjtë sa edhe Haradinaj në Kosovë – veçse ajo ka një zëvendës më pak në qeveri. Qeveria e Serbisë ka katër zëvendëskryeministra – njëra prej tyre grua, e të gjithë prej tyre janë të ngarkuar të drejtojnë edhe nga një ministri.

Katër gra janë ministre në Qeverinë Bërnabiq. Ato përbëjnë 19% të ekzekutivit serb, marrë parasysh vetëm ministritë.

Vendi tjetër fqinj, Maqedonia, qeveria e të cilit drejtohet nga Zoran Zaev, njësoj si në Kosovë, ka pesë zëvendëskryeministra dhe pjesë e tyre është një grua. Sa i përket numrit të ministrive, Qeveria e Maqedonisë ka vetëm një më pak se Kosova – 20.

Aty përgjegjësi për të drejtuar ministri kanë vetëm tri gra, që i bie të jetë 15%.

Fqinji veriperëndimor, Mali i Zi, ka  qeveri me 19 ministri.

Kryeministri Dushko Markoviq në kabinetin e tij qeveritar që e drejton nga nëntori i 2016-ës ka tre zëvendëskryeministra burra.

Në Podgoricë janë katër gra që udhëheqin me ministri, apo 21%.

Nga të dhënat e përdorura që janë marrë nga faqet zyrtare shtetërore të vendeve fqinje del se në Kosovë ka më së paku gra të cilat kanë detyrën e ministres.

Kjo është renditja e përqindjeve të ministrive të udhëhequra nga gratë në  rajon, duke mos llogaritur postin e kryeministrit apo zëvendëskryeministrit.

 

 

Përqindja e grave ministre:

1. Shqipëria 50%
2. Mali i Zi 21%
3. Serbia 19%
4. Maqedonia 15%
5. Kosova 9.5%

 

 

Interesante