10:36, 10 Gusht 2018

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për rregullimin e trafikut, me rastin e mbajtjes së Festivalit “Sunny Hill”, i cili do të mbahet në parkun e Gërmisë që nga sot deri me datën 12.08.2018.

Policia në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales, do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

Ndalja dhe ri drejtimi i të gjitha veturave, përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen më parkun Gërmia (Sofali, Tauk Bahqe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të Prishtinë, KFOR-it, EULEX-it si dhe veturave të PK-së do të bëhet në:

-Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani)
-Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish rruga Bledi)
-Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”

Nga policia gjithashtu ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt parkut Gërmia me vetura.