21:47, 16 Prill 2018

Deputetët e  Kuvendit të Kosovës, Hetem Arifi dhe Veton Berisha, kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga koalicioni qeverisës nëse nuk përmirësohet gabimi në konkursin e Policisë së Kosovës për zyrtarë policorë.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Policisë së Kosovës, duke kërkuar falje për gabimin e bërë duke thënë se lëshimi do të korrigjohet menjëherë, përcjell Klan Kosova.

“Policia e Kosovës si çdo herë tjetër bazuar në ligjet e aplikueshme në vend, procedurat standarde, si dhe me vendosmëri duke zbatuar parimet e mosdiskriminimit për të gjitha komunitetet në RKS, sot me datë 16.04.2018 ka shpall konkursin për zyrtarë policor ku janë specifikuar kriteret për aplikim dhe udhëzimet e nevojshme”.

“Policia e Kosovës  në kuadër të saj ka një numër të konsiderueshëm të prestarëve të komunitetit Egjiptian dhe Ashkali të cilët në vazhdimësi kanë kryer dhe po kryejnë me devotshmëri detyrat dhe autorizimet në funksion të zbatimit të ligjit. Prandaj ju garantojmë që edhe në këtë proces sikurse edhe në të kaluarën do të ketë qasje të barabartë të të gjitha komuniteteve bazuar në parimet e patjetërsueshme të mosdiskriminimit të asnjë forme, thuhet në kumtesën e policisë.

“Policia e Kosovës kërkon falje dhe mirëkuptim për gabimin teknik sa i përket aspektit të përpilimit dhe printimit të formularit për aplikim, dhe ju sigurojmë  që do të ndërmerren masa të menjëhershme në funksion të përmirësimit të gabimeve teknike, dhe formulari i korrigjuar do të jetë në dispozicion që nga dita e nesërme me përfshirjen edhe të komuniteteve Egjiptian dhe Ashkali”.

Aty thuhet se qysh para shpalljes së këtij konkursi për zyrtarë policorë ka zhvilluar fushata në funksion të inkurajimit të femrave dhe komuniteteve për të ju bashkangjitur Policisë duke përfshirë edhe fushatat për  inkurajimin e komunitetit Egjiptian dhe Ashkali për të qenë pjesë e këtij institucioni.

Interesante