Poetja vushtrriase paratë e librit të saj ua dedikon fëmijëve në nevojë (FOTO) – Klan Kosova

Poetja vushtrriase paratë e librit të saj ua dedikon fëmijëve në nevojë (FOTO)

15:36, 5 Mars 2018
 ”Kalëruese e dhembjeve jam” është libri i parë i poetes vushtrriase Kimete Zahiti Tërnava.

Libri është botuar nga shtëpia botuese ”Armagedoni”, kurse redaktimin e tij e ka bërë shkrimtari Adem Gashi, i cili, në një shënim të shkurtër të vënë në ballinën e pasme të librit, ka dhënë këtë vlerësim për të: Këtyre ditëve na u shfaq edhe një poeteshë me një vëllim me lirika.

E pohoi që në krye se është një kalorëse këmbëngulëse, e durueshme dhe e ekuilibruar e dhembjes. Përtej këtij mëtimi ajo na bindi se ndjek itinerarin e shkronjave gjatë të cilit formon trajtat dhe përmbajtjet estetike të ndjenjave, temave e motiveve, transmeton Klan Kosova.

Në kontekstin e pozicionit krijues ajo si duket është e zgjedhura e fatit të mërgimtares, e fatit të gruas, e fatit të reagimit të mençur që shpërfill tundimet dhe joshjet e botës gri.

Sot, në botë e këtu, ka lëvizje të shumta, shoqata e ojq që me butafori shurdhojnë dynjanë sikur u plasi për femrën, gruan e barazinë gjinore. Kimetja ka zgjedhur mjetin e saj, fjalën e bukur dhe vargun poetik për zëdhënës të shqetësimeve, trysnive e shtrëngesave të tjera të jetës. Duke qëmtuar çastet nga tërësia e ditëve ajo vetidentifikohet me subjektet lirike dhe shqipton protestën artistike krejtësisht autentike.

Vargjet dhe poezitë e këtij libri më vijnë shumë shpresëdhënëse për zhvillimin e saj brenda gjirit të poeteshave shqiptare”.

Të gjitha paratë nga shitja e këtij libri (prej 300 ekzemplarëve) autorja do t’i japë për fëmijët që kanë nevojë, për të cilët kujdesen disa prej organizatave jofitimprurëse në Kosovë.

Këtyre organizatave, nëse ndonjëra prej tyre mendon të organizojë ndonjë panair të vogël të librit, ose të organizojë ndonjë aktivitet për librin, do t’i jepen nga 50 ekzemplarë falas, transmeton Klan Kosova.

POEZI TË AUTORES TË MARRA NGA LIBRI I SAJ

AJO

Ishte si vera e lulëzuar

kur vjen në degët e asaj peme gjelbëroshe,

si hëna vezulluese kur roje qiellit i bën

 

Ajo ishte lulja e asaj fushe
dhe tretej si ylber me ngjyra duke bërë me dorë

Kishte flokë të gjata ngjyrë gështenjë

dhe buzëqeshjen që i varej në buzë gjithnjë

Në zemrën e saj kishte gjithmonë ngrohtësi

edhe dimri kur vinte

 

Ajo vinte si flutur vinte si bletë

lule më lule

dhe strehë ndërtonte nën urë,

po zog nuk ishte

 

Një ditë fluturoi

e s’u pa më kurrë!

 

TOKA IME

 

Vendi im i dashur, toka ime e rënduar

qetësinë ta prishen çdo ditë,

pëllumbat t’i vranë, këngën ta ndaluan

mbi ty kalëruan

mbretër e sulltanë, princër e krajla.

 

Të mbytën në gjak, të varrosën të gjallë

por ti s’u dhe, u ngrite si më parë,

toka ime e dashur.

 

Zogjtë harruan të të shkruajnë

se t’i vranë ndër duar,

toka ime e ngrohtë si dielli i lirisë.

 

Emrin deshën të ta humbin, të ta fshijnë

me shpata e plumba e helme,

pëllumbat t’i treten përtej deteve,

po në natën e fundit të tmerrit

ti gjete forcat dhe dritat i ndeze.

 

UNË DHE TI

 

Sa herë qëndrojmë bashkë

brenda janë shumë veta,

sa herë jemi ndaras, as edhe një nuk mbetet.

 

Vetëm ne të dy biem dhe zgjohemi,

unë nuse ti dhëndër,

askush në dhomë me grushte s’të përcolli.

 

Eh nusëria ime e shkuar

as gratë s’më shikuan, s’më dhanë vlerësim bukurie,

s’më thanë si e paska hundën, sytë

dhe atë shtat selvie.

 

Unë dhe ti midis njerëzve

të pakuptuar,

dhe dua mendja të më vete në Kosovë,

s’dua shpejt këtu të arrijmë

jemi vetëm në dhé të huaj,

vetëm unë dhe ti.

Interesante