17:58, 13 Janar 2018

Përplasjet verbale lidhur me iniciativën e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, po vazhdojnë ende.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike, si dhe njohës të çështjeve juridike dhe politike, në rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, flasin për qasje të ndryshme lidhur me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, dy tentime që kërkesa e 43 deputetëve të dërgohet në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, kishte dështuar.

Qëndrimi i unifikuar i liderëve institucionalë të Kosovës, presidentit të vendit, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, që ishte shfaqur më 22 dhjetor të vitit të kaluar, përballë kërkesës së 43 deputetëve, është braktisur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Më 8 janar të këtij viti, përmes një shkrimi autorial, Veseli kishte thënë se “Gjykatën Speciale më së paku në botë e ka merituar Kosova që t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë, edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj”.

Shkrimin e plotë në REL.

Interesante