17:57, 17 Maj 2018

Sot ka përfunduar Samiti i Sofjes mes BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe mesazhi i nxjerrë nga ky samit ka qenë perspektiva evropiane për shtetet ballkanase, njofton Klan Kosova.

Fuqitë evropiane e kanë konfirmuar edhe njëherë të ardhmen evropiane për gjashtë shtetet e rajonit, ndonëse nuk është dhënë diçka konkrete.

Sidoqoftë, analizat kanë nisur menjëherë mbi atë se si duhet të shihet ky dokument 17 pikësh që siguron të ardhmen evropiane për Kosovën dhe fqinjët e saj.

Në këtë samit po ashtu u bë thirrje që të adresohen të gjitha sfidat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke nisur nga ato infrastrukturore, ndërsa u kërkua nga këto gjashtë shtete që t’i përmirësojnë raportet dh t’i sqarojnë problemet mes vete.

Mes këtyre problemeve është edhe ai mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, për çka lideri i maqedonasve, Zoran Zaev, ka thënë se janë afër një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, në mënyrë që Maqedonisë t’i hapet rruga drejt BE-së.

Ndërkaq, pjesa e tjetër e fokusit ka qenë Kosova, në plan të parë vizita e presidentit Hashim Thaçi me shefen e politikës së jashtme dhe sigurisë, Federica Mogherinit.

Të dyja palët e kanë konfirmuar angazhimin për ta çuar tutje marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit, që njëkohësisht hap rrugë për integrim në BE.

Ekip i Klan Kosovës që po qëndron në Sofje, ka mësuar se delegacioni i Kosovës i përbërë prej 50 zyrtarësh po qëndron ende në kryeqytetin bullgar.

Liderët kosovarë kanë pohuar që Kosova është trajtuar si shtet dhe e barabartë me vendet e rajonit në këtë samit, duke shfaqur qartazi një garanci që Kosova ka një shteg të drejtë për BE.

Klan Kosova po ashtu mëson se ka nisur edhe Forumi Ekonomik i Vjenës, ku do të adresohen çështjet më të rëndësishme ekonomike të Ballkanit Perëndimor, pra i shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe presidenti Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.