18:47, 21 Prill 2017

Çështja e Kosovës ka zënë vend në fushatën elektorale për president të Francës.

Por për francezët dosja e Kosovës është mbyllur në vitin 2008 kur është shpallur Pavarësia, njofton Klan Kosova.

Kështu pohon ligjëruesi i politikave të BE-së në Paris Nezir Kraki.

“Për ta, Kosova është çështje e mbyllur”, ka thënë Kraki në Info Magazine.

“Mua më duket se ne dështuam ta kthejmë Kosovën si punë të kryer mirë. Mbetëm me tensione brenda Kosovës të pazgjidhura”, ka pohuar ai.

Në Paris Kraki ka thënë se kanë analizuar programet e kandidatëve dhe Kosova aty nuk ka figuruar tekstualisht.

“Në intervista, debate, mitingje, dy tre javët e fundit sikur Kosova erdhi si temë diskutimi Francë-Rusi dhe Amerikë”, ka pohuar ai.

Në këtë trekëndëshin e aleancave të ardhshme, sipas tij shumica e kandidatëve janë më shumë pro rusë se sa pro amerikanë.

“Pyetja që u shtrua vazhdimisht në debate ishte Krimea. Një kandidat si Fillon që nga 2012 ka lënë kryeministrinë ka qenë konsulent për shumë firma ruse dhe flitet se ka lidhje e miqësi edhe deri tek Putini”, ka theksuar Kraki.

“U habita kur tha se edhe në rastin e  Kosovës është dhunuar e drejta ndërkombëtare”.

Kraki ka thënë se u befasua nga kandidati i ekstremit të majtë me deklaratat e tij, por se atë e bëri pasi kuptoi se një dozë nacionalizmi i bën mirë sondazheve dhe e futi Kosovën.

“Ai tha në Marsejë se ne propozojmë dalje të menjëhershme nga NATO dhe duke folur për NATO-n tha “a ju kujtohet si e kemi copëtuar Serbinë në vitin 1999?”.

Ai tha se Franca ka marrë pjesë në këtë sepse ishte në NATO.

“Ky kandidat ka background historikisht në ekstremin e majtë, tash për ta arsyetuar aneksimin e Krimesë thotë se populli duhet të vendosë për të ardhmen e tij”, ka deklaruar Kraki.

Duhet të dihet se rezultati i zgjedhjeve në Francë, ka pohuar Kraki se mund të ketë rezultate të mëdha, varet edhe e ardhmja e Ballkanit ashtu si edhe e komplet Bashkimit Evropian nëse ndodh që një kandidat ekstrem fiton, si Trump në Amerikë.

“Interesi është zhvendosur në zonat ku tensionet dhe luftërat janë më të hetueshme. Jo se janë anti Kosovë por se ka probleme të tjera ku është zhvendosur vëmendja”, ka shtuar ai.

“Raporti i Dick Martyt sikur e ka faktuar në thonjëza dhe e ka dokumentuar pa fakte ose fakte krejt sipërfaqësore një hamendësim që shumë politikë bërës në Evropë e kanë pasur karshi njerëzve që bëjnë politikë në Kosovë”, ka deklaruar Kraki.

Nga ai raport, sipas Krakit dhe publikimi  i tij, në Francë askush nuk ka pasur dëshirë të takohet me zyrtarë kosovarë.

Interesante