21:41, 20 Mars 2017

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani e cila nga fillimi e ka kundërshtuar koalicionin PDK – LDK ka thënë se kur partia pjesë e së cilës është ka hyrë në koalicion me PDK-në e ka shuar shpresën e qytetarëve që është një alternativë që paraqet zgjidhje për qytetarët.

“Koalicioni LDK-PDK është lidhur për interesa të ngushta, joparimore nga të gjithë që e kanë përkrahur”, ka thënë Osmani, njofton Klan Kosova.

“Prej të parit deri tek i fundit që kanë votuar duhet të japin përgjigje”, ka pohuar Osmani.

Ajo madje ka thënë se ka pasur kryetar të Degëve të LDK-së në Prishtinë dhe vende të tjera që kanë qenë edhe kundër marrëveshjes PDK-LDK.

“Kryesisht disa prej degëve të mëdha e arsyetojnë kinse është bërë për shpëtim të shtetit, kanë qenë interesa të ngushta dhe vazhdojnë me qenë të tilla. Kur këto interesa preken, aty përfundon ky koalicion sepse ky koalicion asnjëherë nuk ka qenë parimor”, ka theksuar deputetja e LDK-së.

Osmani ka pohuar se nuk ka qenë asnjëherë problem për lidershipin e LDK-së.

“Nuk jam problem pasi nuk do të isha personi që e përkrahë më së shumti. Unë e kam përkrah Mustafën deri në nëntorin të vitit 2014, kur është nënshkruar koalicioni me PDK-në”, ka shtuar ajo.

“Madje edhe në raste kur kemi pasur dallime brenda partisë, prapë se prapë kam qëndruar aty sepse kam parë si kauzë më të madhe largimin nga koalicioni me PDK-në”.

“Periudha 2007-2010, Vjosa Osmani nuk ka pasur asnjë pozitë në LDK, unë kam përfshirë këshillimin për një fushë profesionale, politikën e jashtme. Ne kemi dhënë këshilla që nuk janë marrë parasysh, presidenti Sejdiu shkaku i pezullimit të pozitës, ia ka kaluar kompetencat Eqrem Kryeziu. Jo që ka peshë mendimi im në atë kohë, unë s’kam qenë në Kuvend që me dhënë votë pro ose kundër”.

Osmani ka folur për koalicionin e mëhershëm PDK – LDK në vitet 2007 – 2010.

“Qeveria 2007-2010, ka qenë e vetmja mënyrë që me u shpallë Pavarësia. Unë nuk dua ta arsyetoj as atë koalicion, por unë nuk kam qenë në pozitë, si tani deputete, dhe me pritje nga elektorati. Unë besoj fuqishëm që në asnjë moment nuk kam bërë gabim që kam votuar kundër, unë sot dhe 500 herë votoj njëjtë”, ka pohuar Osmani.

Dhe këtë ka thënë se do ta bënte pasi është mbajtje e premtimit ndaj elektoratit të LDK-së.
“T’i qëndrosh besnik elektoratit nuk është luftë kundër një njeriu, është mundësi që i ipet elektoratit dhe me i ndihmu edhe partisë”, ka përfunduar Osmani.

Interesante