21:50, 17 Maj 2018

Analisti politik, Adri Nurellari, e ka quajtur të suksesshëm për Kosovën Samitin e Sofjes mes BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe konfirmim të shtetësisë së saj, njofton Klan Kosova.

“Është një fitore diplomatike për Republikën e Kosovës, që ia doli të ishte palë e barabartë në samitin më të rëndësishëm ku ka marrë pjesë Kosova përkrah liderëve më të fuqishëm të Evropës”, ka thënë Nurellari në Zonën e Debatit të Klan Kosovës.

Mbetjen jashtë të Spanjës nga ky samit, Nurellari e quajti njëfarë fyerje të egos dhe krenarisë së këtij shteti, ndërkaq në anën tjetër, pjesëmarrjen e Kosovës e konsideroi si fitore dhe konfirmim të shtetësisë së Kosovës.

Nurellari e përmendi edhe fotografinë që kancelaria Angela Merkel e publikoi në llogarinë e vet në Instagram, ku shihet duke biseduar me presidentin Hashim Thaçi, e që sipas tij tregon që ka qenë një samit mjaft i suksesshëm.

Për Kosovën, ai tha se ishte i rëndësishëm edhe financimi i një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për ndërtimin e autostradës Nish-Mërdare-Prishtinë.

“E treta fitore e Kosovës, ajo që është e rëndësishme për Kosovën, është që kemi konfirmim të vullnetit të Bashkimit Evropian për ta shtyrë para dialogun, dhe për t’i bërë presion të mjaftueshëm Serbisë”.

Nurellari tha se pa e përmbyllur dialogun dhe çështjen e kufijve me Kosovën, dhe pa një marrëveshje mes dy shteteve është e pamundur perspektiva e Serbisë në BE.

“Jep sinjale të mira për Kosovën”, tha Nurellari për Samitin e Sofjes që u mbyll sot.

“Ai samit jo vetëm që e konsolidon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, por i jep shtysë edhe mbylljes së një problemi që ka Kosova me një vend fqinj”.

“Po dëshmojmë që kemi vullnet të mirë , dhe po përmbushim pritshmëritë që i ka BE nga Ballkani Perëndimor”.

Nurellari pohoi se ky samit, sado që ka qenë i mirë për Kosovën, nuk ka qenë i tillë edhe për Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa për Kosovën tha se ka dëshmuar që është e gatshme t’i zgjidhë problemet me dialog dhe mirëkuptim, e jo me agresivitet.