Një rrëfim emocional për Drazen Petrovic dhe Stephen Curry NULL NULL 27.06.2015 18:33 27.06.2015 18:33 Stephen Curry është lojtar i jashtëzakonshëm, por edhe njeri shpirtmirë dhe i kujdesshëm. Lojtari më i dobishëm i sezonit të sapopërfunduar dhe lideri i kampionit të ri, Golden State Warriors, këtyre ditëve është përkujdesur që Qendra Muzeoro-Memoriale “Drazen Petrovic”, në Zagreb, të pasurohet me një eksponat të ri, i cili me siguri do të jetë në fokus të publikut. Ai ia ka dërguar nënës së Drazenit, Biserka Petrovic, një fanellë të tijën të nënshkruar, të veshur gjatë ndeshjeve finale të NBA-së, në të cilat Golden State Warriors e mposhtën Cleveland Cavaliers dhe u bënë kampionë pas 40 vjetësh. Arsyen e këtij akti duhet kërkuar 23 vjet më parë. Atëbotë, në vitin 1992, Drazen Petrovic merrte pjesë në garën e trepikëshave gjatë All Star Weekend në Orlando, që mbahet në mend për rikthimin e Magic Johnson pas tërheqjes për shkak të infektimit me HIV. Njëri nga kundërshtarët e Drazenit ishte Dell Curry, lojtar i Charlotte Hornets dhe baba i trevjeçarit Stephen. Ishte pikërisht nëna e Drazenit, Biserka, ajo e cila e bënte dadon dhe kujdesej duke e mbajtur në krah çunin i cili vazhdimisht tentonte të hynte në terren. (Në vitin 2015, Stephen Curry do ta fitonte garën e trepikëshave). “Stephen ishte fëmijë çamarrok dhe simpatik”. “Ishte plot jetë dhe veçantia e tij dallohej ashiqare”, ka thënë Biserka për Jutarnji List, transmeton Klan Kosova. Legjendari Drazen Petrovic, lojtari më i mirë europian i të gjitha kohërave, në NBA luajti për Portland Trail Blazers dhe New Jersey Nets. Shënues fantastik për tri pikë, me mesataren e saktësisë prej 43.7% është i katërti në historinë e NBA-së. Nga tre shënuesit tjerë që janë para tij, vetëm njëri është ende lojtar aktiv. Quhet Stephen Curry. klankosova.tv https://www.youtube.com/watch?v=0QUI6MVXYpA *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.