“Federata Europiane e Karatesë ka vendosur të hapë hetim për aspektet që lidhen me ndalesën e pjesëmarrjes të atletëve kosovarë në këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e FEK

12:05, 12 Maj 2018

Federata Europiane e Karatesë të premten ka nisur një hetim për ndalimin që autoritetet serbe i kanë bërë garuesve nga Kosova në Kampionatin Europian në Novi Sad.

Atletëve kosovarë s’iu lejua hyrja në Serbi as të martën as të mërkurën për shkak të simboleve të shtetit të Kosovës, të cilin Serbia nuk e njeh.

“Federata Europiane e Karatesë ka vendosur të hapë hetim për aspektet që lidhen me ndalesën e pjesëmarrjes të atletëve kosovarë në këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e FEK.

“Si pasojë e diskutimeve që kemi pasur në Komitetin Ekzekutiv është vendosur të formohet një komision i veçantë për ta trajtuar këtë çështje”.

Ky komision do të drejtohet nga sekretari gjeneral i Federatës Europiane të Karatesë, Stjepan Celan, ndërsa pjesë e tij do të jenë edhe dy zëvendëspresidentë.