11:56, 12 Tetor 2018

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.P me dyshimin se ka kryer veprën ’Cenim i të drejtave në marrëdhëniet e punës’’.

Në fillim të muajit shtator 2015 e gjerë tani, i pandehuri në cilësi të personit zyrtar në komunën e Ranillugut, nuk e ka zbatuar ligjin dhe kontratën kolektive për punësim, ndaj zyrtares së komunës, njofton Klan Kosova.

“Të dëmtuarës K.R. – zyrtare në këtë komunë, ia ka cenuar të drejtën nga marrëdhënia e punës dhe i ka mohuar të drejtën e punësimit edhe përkundër faktit që e njëjta kishte përvojë pune, ndërkaq në listë të pagave kishte vendosur persona të tjerë pa kualifikime, me ç’rast të njëjtën e ka dëmtuar në shumë prej 10.000 euro”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria.

Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’Cenim i të drejtave nga marrëdhëniet e punës’’ nga neni 221 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjilan, që pas shqyrtimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënim meritor sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.