15:28, 17 Maj 2018

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, lansoi edhe zyrtarisht softuerin e pagesave online të policave të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët tanë.

Gashi, i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, drejtori i policisë kufitare, Shaban Guda, dhe zyrtarët e BKS-së, vlerësoi rëndësinë e madhe të këtij projekti që do të eliminojë pritjet e mërgimtarëve në kufi.

“Kjo ditë është e veçantë, sepse lansojmë softuerin për pagesën e policave “online”. Me këtë, bashkatdhetarëve do t’u lehtësohet në mënyrë drastike hyrja në Kosovë. Më nuk do të krijohen radhë të gjatë, por pagesa do të mund të bëhet në mënyrë elektronike online”.

Gashi falënderoi në veçanti edhe ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, i cili ka punuar intensivisht për jetësimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, përgëzoi fillimin e këtij projekti, i cili në masë të madhe do t’i lehtësojë procedurat e kalimit në pikat kufitare.

Ky sistem do të jetë funksional në të gjitha pikat kufitare.

Për çdo informacion lidhur me policën e sigurisë, bashkatdhetarët do të mund të informohen në detaje në Byronë Kosovare të Sigurimeve.