16:41, 14 Shkurt 2018

Ministria e Jashtme e Shqipërisë kërkon nga presidenti, Ilir Meta plotfuqishmërinë për negociatat e detit me Greqinë.

Ndërkohë, burime nga Presidenca kanë konfirmuar se të martën në mbrëmje ka arritur kërkesa nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme.

Sot në orën 8:00 në mëngjes, presidenti Meta ka pritur ish-presidentin Nishani për t’u konsultuar.

Pritet që presidenti Meta të konsultohet edhe me ish-presidentët e tjerë brenda dy ditëve, shkruan Top Channel.

Kërkesa bëhet nga Ministria e Jashtme, para se ekspertët të ulen në tryezën mbi hartat për të piketuar kufijtë detarë. Nga Ministria e Jashtme thanë se plotfuqishmëria nevojitet vetëm kur ekipet e dy vendeve të nisin punën me hartën.

Në rastin e kufirit detar, kriteret e dakordësuara janë ato të 12 miljeve dhe të vijës së mesit mes kufirit të të dy vendeve.

Nga parimi i 12 miljeve përfitonin Shqipëria dhe Greqia bashkë dhe se matja do të niste nga ishujt grekë të banuar në vitin 1913.